Pavarësisht ndalimit të vendosur nga autoritetet, protesta e lëvizjes anti-kapitaliste Blockupy ka vazhduar gjatë së premtes në Frankfurt të Gjermanisë.
Protesta është zhvilluar në kuadër të një aksioni 4-ditor që do të kulmojë me një protestë ditën e shtunë kundër planeve anti-krizë të miratuara nga Evropa për të shkurtuar borxhet publike.
Rreth 400 persona janë ndaluar nga policia, njofton kjo e fundit, ndërkohë që sipas organizatorëve të manifestimit të ndaluarit janë rreth 500 dhe janë dhunuar nga policia.
Forcat e rendit, që e mohojnë këtë akuzë, avancuan drejt protestuesve, i rrethuan ata dhe më pas i detyruan të zbrazin zonat e pushtuara.
Por demonstruesit nuk u trembën dhe vazhduan protestën e tyre. Agjentët ndërkohë hoqën çadrat e vendosura nga dmeonstruesit në lagjen financiare dhe shpërndanë disa persona të mbledhur.
“Uri? Ha bukë një bankier”, shkruhej në një nga parullat e vendosura përpara selisë së bankës “Goldman Sachs”, që ndodhet pikërisht në lagjen financiare të qytetit gjerman.
Ndërkohë, një zëdhënës i policisë gjermane, në një komunikim me mediat gjatë mbrëmjes, e ka cilësuar situatën si “shumë të qetë”.
Rreth 5 mijë agjentë të landeve të ndryshme u mobilizuan ditën e sotme. Kordone sigurie u vendosën në shumë pika strategjike të Frankfurtit dhe shumë stacione autobusi e metroje të qytetit u mbyllën.
Top Channel