“Top Story”, ethet e zgjedhjes së Presidentit

17/05/2012 00:00

Ndërsa mbetet vetëm një javë kohë nga afati zyrtar i nisjes se procesit së përzgjedhjes së Presidentit të Repubikës, debati për atë që do të pasojë Bamir Topin në rolin e kryetarit të shtetit, eshte me i ndezur se kurre.

Një muaj më parë, Fatos Nano, në studiot e “Top Story” shpalli zyrtarisht kandidaturën e tij, por aktualisht, shanset që ai do të dalë fitues në këtë proces duken më të ulta se kurrë, pasi lideri i maxhorancës, Sali Berisha, nuk heq dorë nga objektivi për të nxjerrë një president nga radhët e Partisë Demokratike.

Megjithatë, kandidatura e Nanos hapi një valë takimesh, bisedash dhe negociatash mes figurave kryesore të politikës shqiptare, të cilët duket se ruajnë ende nga një “kartë nën mëngë”, për momentin vendimtar, kur të vijë çasti i zgjedhjes së presidentit.

Pikërisht, për të analizuar rreth qëndrimeve të të gjitha palëve dhe për të analizuar këtë moment të politikës shqiptare, emisioni i përjavshëm politik i Sokol Ballës, “Top Story”, përplasi në studio opinionet e politikanëve të të gjithë spektreve, me atë të disa prej analistëve më të njohur në vend.

Mark Marku, nënkrytar i Komisionit të Medias në Kuvend dhe deputet i PD-së, mori fjalën i pari në një studio në të cilën ishin prezentë gjithashtu Ditmir Bushati, kryetari i Komisionit të Integrimit dhe deputet i Partisë Socialiste, Ylli Manjani, Sekretari për Çështjet Zgjedhore të LSI-së.

Të paatashuar me ndonjë forcë politike, gjithashtu bënë analizën e tyre Lysien Bashkurti, themelues i Akademisë Shqiptare të Diplomacisë dhe dy analistët e mirënjohur, Mustafa Nano dhe Andi Bushati.

I pyetur për qëndrimin aktual të demokratëve, Marku tha: “Nuk mendoj se do të ishte e arsyeshme që PD të toleronte pikërisht në këtë prag zgjedhje të presidentit: E para, sepse nuk ka përse ta bëjë. Deri tani jemi me “fanta politikë”, ndërsa tani hyjmë në politikën e vërtetë dhe procesi zhvillohet në mënyrë institucionale”. Megjithatë, duke iu referuar zërave që socialistët mund të bojkotojnë seancën e parë parlamentare të zgjedhjes së presidentit në 24 maj, Marku shtoi: “Ajo që më bën më shumë përshtypje dhe që shpresoj të mos jetë e vërtetë, është se pala që kërkon me më shumë ngul konsensusin, duke e gatshme që ta bojkotojë procesin”.

Duke nisur arsyetimin e tij pikërisht në këtë pikë, Bushati mbrojti pozitat e socialistëve duke thënë: “A do të braktiset seanca e Kuvendit? Jemi në kufijtë e një hamendësimi të panevojshëm, Shqipëria ka nevojë për një proces të dakordësuar politik, për një president simbol të unitetit të kombit dhe ka një afat të qartë nga BE, për reformën parlamentare dhe zgjedhore, para se të zgjidhet presidenti. Objektivi i qartë dhe publik, është shoqëruar me një mandat nga ana e forumeve kryesorë të PS, për të pasur një dialog me të gjithë aktorët e rëndësishëm, forcat politike të përfaqësuara në Parlament si aktorë parësorë që përfaqësojnë vullnetin e popullit dhe PS është e interesuar të ketë një proces në përputhje me frymën, që të ketë mundësi pas 24 majit të kemi një kandidaturë simbol të unitetit të kombit, por më përpara kemi dy reformat e tjera, që janë të domosdoshme dhe nuk duhen harruar kurrsesi”.

Lëvizja Socialiste për Integrim, nga ana e saj, ka patur një qëndrim më pragmatik ndaj çështjes, duke vlerësuar se ulja në tryezën e bisedimeve dhe shmangia e tensioneve të panevojshme politike është zgjidhja më e pranueshme. “I gjithë konstatimi që vjen nga dy kolegët parafolës është i vërtetë, por sa herë në këto vite ka një ngjarje që duam të zgjedhim kryetarin e shtetit, në Shqipëri, për fat të keq këto gjëra bëhen në makth. Janë gjëra që s’ka përse të kalojnë me tensione, të bëhet një logjikë pengmarrje, etc. Kjo është një ngjarje që duhet përjetuar me pasionin e nevojshëm, por duhet të kuptojmë që ka ardhur koha t’i vëmë fre emocioneve të panevojshme në politikë dhe kjo ngjarje është analizuar nga ne kështu. Në mënyrë që të ndërtojmë një konsensus sa më të gjerë të jetë i mundur. PD e PS duhet të lënë mënjanë llogoren politike dhe dinakëritë, që ta bëjmë këtë ngjarje, mbase jo fisnike, por transparente, për të zgjedhur një kryetar shteti sa më të mirë të mundshëm, që mund të dalë vetëm nga një proces dialogu e bisedimesh”.

Në ndërhyrjen e tij, Marku deshi të specifikonte se ndryshimet kushtetuese kanë pasur pikërisht qëllimin që zgjedhja e presidentit të mos shndërrohet në vetvete në një moment krize. “Shoh që presidenti konsiderohet si një lloj misi për të zgjedhur njeriun më të mirë të mundshëm, etj. Zgjedhja e presidentit të Republikës është një proces politik që reflekton një dinamikë politike dhe një raport të forcave në vend. Në rastin konkret, unë mendoj se edhe duke qënë tani në një konsensus 100%, nuk do të jemi në gjendje të themi në kemi bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme për shqiptarët, pasi këtë do ta tregojë zbatimi i kushtetutës dhe personaliteti i vetë presidentit”.

”Unë nuk jam dakord me diçka me Markun. Ai ka të drejtë kur thotë akordi i Ramës dhe Berishës në lidhje me ndryshimin e kushtetutës synonte të evitonte bllokimin dhe kalimin në zgjedhjet e parakohshme që me kushtetutën e vjetër mund të ndodhnin”, argumentoi Mustafa Nano. “Por, ai akord, nuk ka synuar edhe situatën që mazhoranca të thotë ik se s’të pyes fare. Ky është një proces që po deformohet. Bojkoti është kundër integrimit, nga negociatat nuk mund të dalë presidenti më i mirë i mundshëm, por në mungesë të tyre, për këtë jam i sigurt, që zgjidhet më i keqi i mundshëm”.

Në vlerësimin politik të Andi Bushatit, dy platformat e ofruara aktualisht nga maxhoranca dhe opozita, të dyja përmbajnë defektet e tyre dhe asnjëra nuk është moralisht e ndershme, “Në makth janë të barabarta secila palë dhe mënyra se si kanë luajtur deri tani tregon një makth që vetëm i shëndetshëm nuk është. Tek PD, qëndrimi është i qartë, një president i yni. Kjo do të thotë se ne në selinë e Presidencës do të katapultojmë ose një horr tjetër bulevardi, ose një servil bulevardi, pra ose një sherbëtor ose një njeri që do e shpallim armik të nesërmem. Por, edhe identikiti i opozitës nuk është pozitiv, në rastin e bashkëpunimit me LSI-në, me shumicën hipotetike që mund të ngrihet për presidentin. Diskursi i LSI-së sot thotë që kushti për integrimin është një president konsensual. Dakord, politikisht është në rregull, por në këto tre vjet, a ka vepruar LSI si një forcë e interesuar në integrim, jo vetëm tek hapja e kutive, por në shumë kriza të tjera? Shqetësimi që ka LSI për presidentin i shtuar nga ai për shumë çështje të tjera dhe kjo është dyshuese. Nga ana e PS, që ka tre vjet që thotë se faji është i njëjtë si i të parit, ashtu edhe i “sekserit”, nuk mund të zgjedhë një president duke zgjedhur edhe ajo sekserin. Jam dakord që një president i Berishës do të ishte i keq për vendin, por edhe një president që gatuhet si anti-Berishë mund të jetë kundërproduktiv”.

Në fjalën e tij rreth skenarëve të ndryshëm të presidentti, Bashkurti theksoi: “Pavarësisht sistemit presidencial apo parlamentar, ka një parim thelbësor, që është ai i demokracisë. Politika s’duhet ta konceptojë veten të shkëputur dhe s’duhet harruar që në demokraci opinioni është thelbësor, Shqipëria ka nevojë për një president që të respektohet nga opinioni dhe jo të injorohet. Mesazhi është i qartë, profili i presidentit, si çështje thelbësore është i rëndësishme. Nuk duam president monopoartiak, që të sigurojë një vertikalitet të institucioneve dhe nuk duam një president për konfliktin mes institucioneve qëndrore, etj. Opinioni publik ka dhënë një mesazh të shkëlqyer, është mësim shumë i madh. Unë nuk pajtohem që zgjidhja e 2008-s (i referohet ndryshimeve kushtetuese) ishte për të parandaluar krizat. Zgjedhjet e parakoshhme nuk janë krizë, por janë zgjedhje të shëndosha të demokracisë, është riformulim i opinionit publik. Ne këtu në këtë studio flasim për skenarë, por përse ata që e kanë në dorë si aktorë kryesorë, nuk shpallin platformat e tyre, nuk shpallin emrat kandidatë, që biseda të mos bëhet kështu hipotetike?”.

Qendrimi i ndërkombëtarëve

Procesi i zgjedhjes së presidenti, sigurisht që do të ndiqet me vëmendje edhe nga komuniteti ndërkombëtar, që disa herë, si në Bruksel e Uashington, po ashtu edhe me të dërguarit në Tiranë, apelojnë për një president konsensual. Por a është kush zgjedhja e presidenti konsensual në marrjen e statusit kandidat të vendit?

Për deputetin e Partisë Demokratike, Mark Marku po bëhet një abuzim me qendrimin e të huajve. Sipas tij, zgjedhja e presidentit nuk ka lidhje me integrimin dhe se BE kërkon që procesi të jetë normal. “BE kërkon një proces normal për zgjedhjen e presidenti dhe s’është e vërtetë që thuhet se Europa kushtëzon integrimin. Nuk është një nga kushtet që BE kushtëzon integrimin. Europa kërkon procesin normal për zgjedhjen e presidentit. PD dhe LSI s’kanë problem dhe presidenti nga radhët e PD nuk rrezikon absolutizmin. Thjesht ideja që në 2013 mund të ndërrohet pushteti dhe pastaj absolutizmin e bën PS”.

Por deputeti socialist, Ditmir Bushati vlerësoi  nevojën e një procesi dhe respektimit të germës dhe frymës së Kushtetutës si një nga kërkesat e adresuara ndaj klasës politike shqiptare nga partnerët ndërkombëtare. “Kërkesa e zyrtarëve të BE ka qenë zgjidhni një president gjithëpërfshirës për të respektuar frymën dhe germën e Kushtetutës. Ndaj mendoj që duhet një procesi i ngjashëm si ai i 2002. Të ulemi në tavolinë e të respektohet procesi. Kemi marrë dy mesazhe në PE, mbyllni dy reformat, atë zgjedhore dhe atë parlamentare, e më pas zgjidhni presidentin”.

Sekretari i LSI-së për Cështjet Ligjore, Ylli Manjani nënvizoi rëndësinë e procesit për një president gjithëpërfshirës, konsensual me pjesëmarrjen e opozitës dhe shprehu besimin që ky president të zgjidhet me 84 vota, që në raundin e parë, më 24 maj. “Mund t’ju them që nuk është në interes të LSI të hyjë në proces me emër konkret. Ne kemi hyrë me parime e do t’i qendrojmë fort këtij argumenti deri në pikën që të zgjedhim presidentin më të mirë të mundshëm, të gjithë bashkë. Kemi besim që kjo do të ndodhë. LSI është e vetmja parti që kërkon zgjedhjen e presidentit që në raundin e parë me 84 vota, kjo është zgjidhja më e mirë”.

Ndërsa ish-diplomati, Lisjen Bashkurti kritikoi ndryshimet e Kushtetutës në 2008 që sipas tij cuan në këtë situatë, ku presidenti mund të zgjidhet nga njëra palë.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA