Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Stefan Fule, vizitoi të enjten Turqinë, në një përpjekje për t’i dhënë Ankarasë një stimul të ri për anëtarësimin në bllok.
Turqia ka nisur bisedimet e anëtarësimit në vitin 2005, por ato kanë ngecur në vend prej më shumë se dy vitesh, për shkak të refuzimit të Turqisë për të njohur Qipron, një anëtar i unionit.
Në takimin në fjalë, Fule dhe zyrtarët vendas promovuan së bashku “axhendën pozitive” të integrimit. Blloku i 27-vendeve është me shumicë dërrmuese konsumatori kryesor i eksporteve turke, prandaj marrëdhëniet dypalëshe kanë marrë një rëndësi të veçantë për secilën palë.
”Qëllimi ynë është që të mbajmë gjallë procesin e anëtarësimit dhe ta rikthejmë atë në rrugën e duhur, pas një periudhe stanjacioni që nuk i ka shërbyer asnjërit”, deklaroi Fule nga Ankaraja.
Sipas korrespondetit të BBC-së në Stamboll, shpresat dhe entuziasmi i parë në fillimin e bisedimeve shtatë vjet më parë, i ka lënë vendin një indiference pothuajse të plotë, për shkak të disa polemikave dhe akuzave të ndërsjella midis Ankarasë dhe Brukselit.
Në dy vjet që prej fillimit të negocimit të kapitujve që duhen plotësuar për integrimin, vetëm një kriter është realizuar, ndërsa më shumë se gjysma janë të bllokuar.
Me secilin vend anëtar që ka të drejtë vetoje mbi kandidaturën e anëtarësimit të një shteti të ri, integrimi i Turqisë bëhet edhe më i vështirë duke marrë në konsideratë problemin me Qipron dhe shtetin e panjohur ndërkombëtarisht të Republikës Turke të Qipros së Veriut.
Megjithatë, sipas ekspertëve, rifillimi i bisedimeve është bërë i domosdoshëm edhe për vetë BE-në, për vetë pozicionin e Turqisë, që ndodhet në kufi me shtete si Siria, Irani dhe Iraku, në një prej rajoneve më delikatë e njëkohësisht me më shumë interesa për shtetet e unionit.
Top Channel