Turqia nisi dy avionë ushtarakë për të ndjekur një gjuajtës izraelit që dhunoi hapësirën ajrore të Republikës Turke të Qipros Veriore.
Ngjarja ndodhi ditën e hënë, por ajo u bë publike vetëm pasditen e së enjtes. Në një deklaratë zyrtare të Ankarasë, mësohej se dy F-16 u përdorën për të detyruar avionin e paftuar që të largohej nën kërcënimin e hapjes zjarr.
Një zëdhënës i Tel Avivit tha se autoritetet janë duke verifikuar informacionin dhe se nuk ka ende një koment për të dhënë.
Marrëdhëniet midis dy shteteve aktualisht kanë prekur një prej pikave më të ulta historike, pasi një sulm i flotës izraelite vrau nëntë turq ndërsa hapi zjarr ndaj një anije që transportonte ndihma për në Palestinë.
Izraeli ka refuzuar të kërkojë falje për atë incident, duke krijuar një krizë politike të thellë, që çoi në ndërprerjen e bashkëpunimit ushtarak dhe shpalljen “non grata” të ambasadorit hebre në Ankara.
Sipas burimeve ushtarake turke, gjuajtësi izraelit dhunoi hapësirën turke pesë herë brenda tetë minutave, përpara se të vendosej në rrezen e gjuajtjes së avionëve turk, të cilët e detyruan të zmbrapsej.
Turqia nuk e njeh shtetin e Qipros dhe ka vendosur një republikë në veri të ishullit që prej pushtimit të vitit 1974, shtet i njohur vetëm nga vetë Ankaraja.
Aktualisht, marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Nikozias pësuan një degradim të ri, pasi mjetet turke nisën të kontrollojnë për rezerva nafte në afërsi të brigjeve qipriote.
Top Channel