Ndryshime në Turqi, hartohet Kushtetuta e re

14/05/2012 00:00

Parlamenti turk ka filluar procesin e ndryshimit të kushtetutës
30-vjeçare për të zëvendësuar një tekst të miratuar 2 vjet pas grushtit
ushtarak të vitit 1980, duke pasqyruar kështu ndryshimet e mëdha në një
vend që tani drejtohet nga një qeveri e moderuar.

Kushtetuta ushtarake e tanishme fajësohet gjerësisht për kufizimin e lirive, në vend që t’i mbrojë ato. Kryeministri Rexhep Taip Erdogan thotë se dokumenti, i cili pritet të përfundojë deri në fund të vitit, do të ketë në qendër qytetarët dhe jo shtetin.

Grupeve të të drejtave civile, organizatave fetare dhe qytetarëve, u është kërkuar të kontribuojnë në procesin e hartimit të një kushtetute më liberale. Partia kryesore kurde e vendit, BDP, po ashtu po merr pjesë në këtë proces. Disa analistë thonë se është ndoshta “sekreti” politik i Turqisë është fakti që kryeministri Erdogan do të krijojë një presidencë shumë më të fuqishme, sipas modelit të Francës, apo SHBA-së.

Zoti Erdogan ka thenë se ai nuk do të qëndrojë në postin e kryeministrit pasi të përfundojë mandatin e tretë në vitin 2015. Ai tha këtë javë se sistemi presidencial do të diskutohet. Por të gjitha partitë e opozitës e kundërshtuan me shpejtësi çdo ndryshim nga sistemi aktual i fuqishëm parlamentar.

Fati përfundimtar i Kushtetutës së re dhe ndoshta një ndryshim i mundshëm i sistemit presidencial, do të varet nga Parlamenti dhe në fund të fundit, nga populli turk. Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit e Erdogan, ka një shumicë të mjaftueshme për miratimin e kushtetutës së re, e cila do të ratifikohet me referendum.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA