Merkel pranon humbjen pa ndërruar kurs

14/05/2012 20:50

Kancelarja Gjermane, Angela Merkel, pranoi se humbja e pësuar nga partia e saj Kristian Demokrate në zgjedhjet e shtetit të Vestfalisë dhe Rinit Verior përbën “një rezultat të dhimbshëm” për të.

Megjithatë, ajo shtoi se pavarësisht se vota për Social Demokratët në opozitë tregoi se gjermanët janë të lodhur nga politikat shtrënguese të kursimit, Berlini zyrtar do të vazhdojë në të njëjtën linjë në përballjen e krizës.

“Ky është një rezultat i dhimbshëm për mua personalisht, por do të ishte edhe më e dhimbshme nëse Gjermania do të dilte nga rruga e saj e progresit, prandaj politikat tona nuk mund të ndryshojnë”, deklaroi Merkel, në një shfaqje publike.

Zgjedhjet treguan se Social Demokratët janë duke përjetuar një rritje të vazhdueshme në vend, ndërsa partia e Merkelit arriti rezultatin më të dobët që prej Luftës së Dytë Botërore.

Rezultati zyrtar tregoi se Social Demokratët Gjermanë arritën të grumbullonin 39,1% të votave, ndjekur nga Kristian Demokratët me 26,3%, të Gjelbërit me 11,3%, Demokratët e Lirë me 8,6% dhe Partia e Piratëve që përfaqëson grupin që kërkon liberalizimin e internetit dhe heqjen e të drejtave të autorit fitoi 7,8% të elektoratit.

Partia Kristian Demokrate e Merkel, në aleancë me Demokratët e Lirë, së fundmi humbi zgjedhjet në shtetin verior të Shlesvig-Holstein, ku regjistroi edhe rezultatin më të dobët zgjedhor në 50 vitet e fundit.

Vestfalia dhe Rini Verior janë veçanërisht të rëndësishëm për të parë tendencën e zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme në 2013-n, pasi ky është landi më i populluar dhe më i industrializuar i vendit.

Zgjedhjet në këtë land u detyruan të mbaheshin pasi në muajin mars, një qeveri e minorancës e drejtuar nga social demokratët dhe të gjelbërtit u rrëzua pas pamundësisë së miratimit të buxhetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA