Partnerja e Presidentit të Francës, Francois Hollande, përdori “Twitter”-in për t’i uruar sukses rivalit të ish-bashkëshortes Segolene Royal, në zgjedhjet për Parlamentin Francez.
Valerie Trieweiler shkruajti në rrjetin social se shpresonte që kundërshtari i Royal të fitonte në balotazhin për një mandat në parlament, në zgjedhjet e raundit të dytë, në qytetin e La Roshelës.
Socialisti disident, Olivier Falorni, është kundërshtari i Royal në këtë zonë zgjedhore.
Hollande, i cili me Royal qëndroi i martuar për pothuajse 30 vjet dhe kanë së bashku katër fëmijë, ka mbështetur hapur kandidaturën e ish-gruas, që vjen nga radhët e së njëjtës parti, asaj socialiste.
Falorni refuzoi që të lejonte Segolene të kandidonte në zonën ku ai kishte fituar disa mandate rradhazi dhe si rrjedhojë u përjashtua nga partia. Në raundin e parë, ai dhe Royal ishin dy kandidatët me më shumë vota dhe në këtë fundjavë, zgjedhësit do të përcaktojnë se cili prej dy socialistëve do të fitojë vendin në Asamblenë Kombëtare.
Komentet e zonjës Trieweiler nuk janë komentuar nga Segolene, e cila humbi në vitin 2007 në zgjedhjet presidenciale përballë Sarkozy.
Shtypi francez ka interpretuar ngjarjen si një çështje xhelozie midis dy grave të jetës së Hollande, çka duket se do të krijojë një situatë aspak të këndshme për vetë presidentin.
Top Channel