Kryeministri i Kenias i kërkoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian që të sulmojnë ushtarakisht Somalinë.
Gjatë një konference zyrtare në Najrobi, ditën e martë, Raila Odinga foli për rëndësinë e pushtimit të qytetit port të Kismajos, baza kryesore e grupit islamist të al-Shabab.
Forcat keniane janë përfshirë në një betejë të armatosur me al-Shababin dhe sipas Odingës, trupat do të jenë në portat e bastionit të terroristëve në muajin gusht, por kryeministri theksoi se në mënyrë që të arrihet suksesi përfundimtar, Kenia ka nevojë për fonde dhe ndihma ushtarake.
Në deklaratën e tij, Odinga theksoi se “suksesi kundër al-Shabab mund të arrihet vetëm nëse ndërhyrja përshkallëzohet edhe me operacione nga deti e ajri, përveçse nga toka”.
Luftanijet e vendeve të Bashkimit Europian ndodhen në zonë për të luftuar forcat pirate, por sipas Kenias, tashmë ato duhet të përfshihen edhe në operacione luftimi kundër bazave të al-Shabab brenda vendit.
Najrobi zyrtar ka kërkuar asistencë në luftën me islamistët e lidhur me al-Kaedën edhe më parë, ndërsa Odinga shtoi se ka ndërmend t’i parashtrojë Uashingtonit një kërkesë zyrtare për të asistuar financiarisht dhe nëpërmjet bombardimeve të avionëve me telekomandë.
Top Channel