Iran, 25 rrahje me kamzhik ilustruesit

12/05/2012 00:00

Një karikaturist në Iran është dënuar me 25 rrahje kamzhiku për shkak se
vizatoi karikaturën e një deputeti vendas, e cila më pas u publikua në
të përditshmen “Nameye Amir”.

Në vizatimin në fjalë, që mban firmën e Mahmoud Shokraye, deputeti Arak Ahmad Lofti Ashtiani paraqitet në stadium, i veshur si futbollist, me një letër urimesh në njërën dorë dhe njërën këmbë mbi top.

Gjithashtu, në ballin e tij duket një shenjë, të cilën deputeti e ka me të vërtetë, tipike e islamikut të përkushtuar, e shkaktuar nga lutjet e vazhdueshme.

Por parlamentari konservator është ndjerë i ofenduar dhe e ka paditur Shokrayi-n, duke e çuar çështjen në gjykatë.

Vendimi i dhënë, i pari i këtij lloji në Iran, ka shkaktuar shumë protesta. Në rrjetet sociale Facebook dhe Tëitter janë shtuar kërkesat që karikaturisti të bëjë ilustrime të tjera për deputetin.

Reagime kanë ardhur edhe nga Amnesty International, që ka dënuar “vendimin brutal” ndaj Shokraye. “25 rrahje me kamzhik për një karikaturë janë një mesazh mbytës për të gjithë iranianët që nuk mund të shprehin lirshëm dhe paqësisht opinionet e tyre, pa pasur frikë nga kundërsulmet shtetërore”, ka deklaruar Ann Harrison, nëndrejtore për programin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA