Burg për “të birin” e Madonna-s

12/05/2012 16:45

Pretendonte se ishte djali i Madonna-s e për këtë masakroi mamanë e tij të paralizuar dhe plagosi rëndë të atin në Noruiç të Britanisë së Madhe.

Krimi makabër daton në 6 maj të vitit 2001, kur Trevor Rush, sot 33 vjeç, sulmoi brutalisht me çekiç dhe thikë kuzhine të ëmën e tij, 57-vjeçare Dorothy. Babai John, kur pa të gjithë skenën u përpoq ta ndalë atë, por dhuna nisi të ushtrohej edhe ndaj tij.

Me plagë në trup, John mundi të kërkonte ndihmë tek fqinjët, të cilët më pas njoftuan policinë. Policia mbërriti në shtëpinë e masakrës pak minuta më vonë, por gjithçka kishte përfunduar për 57-vjeçaren Dorothy. Në skenën e krimit, i përgjakur, me çekiç dhe thikë në dorë ndodhej Trevor.

Ai u arrestua dhe kur u mor në pyetje pranoi akuzën e vrasjes duke këmbëngulur se kishte kryer “një punë të Zotit”. Përveç kësaj, ai pretendonte se ishte djali i Madonna-s dhe vetëquhej Jezu Krisht dhe Jezu Ciccione (mbiemri i këngëtares Madonna).

Pasi vunë re paqendrueshmërinë mendore të 22-vjeçarit (sot 33 vjeç) autoritetet britanike vendosën që ai t’i nënshtrohet trajtimit në një klinikë të specializuar për të tilla raste duke e vlerësuar si të pandërgjegjshëm e të pavetëdijshëm për t’u përballur me akuzën e vrasjes në gjykatë.

Mjekët në atë kohë arritën në përfundimin se ai vuante nga skleroza e shumfishtë. Por sot, 11 vjet pas krimit makabër, gjendja e tij është “normalizuar” e për këtë duhet të përballet me burgun për krimin e kryer.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA