Ylli i mbrëmjes së organizuar nga George Clooney në shtëpinë e tij për mbledhje fondesh nuk ishte Oprah, Brad Pitt apo Tom Hanks. Ishte Presidenti amerikan Barak Obama, ndërsa eventi u organizua pikërisht për nder të tij.
Plot 15 milionë dollarë u mblodhën të enjten, një rekord ky për një mbrëmje të vetme që kulmoi me ekstravagancën e dhurimeve, ku 150 të ftuar paguan 40.000 dollarë për biletën e hyrjes.
Eventi u organizua për të mbushur arkat e fushatës së Obamës 6 muaj përpara se t`i kërkojë amerikanëve votën për një mandat të dytë në krye të Shtepisë së Bardhë.
Ai shfrytëzoi rastin të përmendte edhe vendimin e një dite më parë për të mbështetur martesat gay, cka e bën të parin president në detyrë që e hedh një hap të tillë.
“E vërteta është se kjo duhet konsideruar shtrirje logjikës e asaj cfarë Amerika duhet të jetë në të vërtetë. A jemi ne vendi që i përfshin të gjithë pa dallim? A na bën kjo më të fortë se të tjerët? Unë besoj se po”, tha Obama, duke shtuar, “Dje, padyshim, ne ishim lajmi”.
Ndërkohë sipas raporteve në median amerikane, numri dy i administratës Joe Biden i ka kërkuar ndjesë presidentit në Dhomën Ovale për faktin se e mbështeti përpara tij martesën mes personave të të njëjtit seks. \
Mendohet se komentet e Bidenit në një talk-shou të dielën, e vunë shefin e Shtëpisë së Bardhë nën presion për të sqaruar një herë e mirë pozicionin e tij mbi këtë cështje polemizuese.
Top Channel