Vëllai i një prej viktimave të Anders Behring Breivik lëshoi një këpucë në drejtim të të pandehurit, duke ndërprerë seancën gjyqësore që po zhvillohej në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo.
”Ti vrave vëllanë tim. Shkofsh në Djall”, klithi vëllai i viktimës, ndërsa po eskortohej jashtë gjykatës. Këpuca nuk goditi në shenjë, duke prekur avokatin mbrojtës në vend të vrasësit.
33-vjeçari Breivik ka pranuar vrasjen e 69 personave në një kamp rinor në ishullin e Utojës dhe të tetë të tjerëve në një sulm me bombë në Oslo, në 22 korrik 2011. Megjithatë, ai mohon përgjegjësinë kriminale për masakrën e tij.
Incidenti i ndodhur të premten, fitoi duartrokitje spontane nga antarë të tjerë të publikut në gjykatë. Dikush u dëgjua duke thirrur: “Bravo”.
Megjithatë, në lidhje me ngjarjen, Breivik ironizoi duke thënë: “Nëse dikush dëshiron të më godasë me diçka, le ta bëjë këtë gjatë hyrjes dhe daljes sime nga gjykata, në mënyrë që të më kapë mua dhe jo avokatin tim mbrojtës”.
Goditja me këpucë shihet si një formë proteste dhe ofendimi publik në shumë vende, por praktika është bërë për herë të parë e njohur kur një reporter iraken goditi George Bush, atëherë President i SHBA-ve, gjatë një takimi të lartë shtetëror në Bagdad, në vitin 2008.
Gjyqi ndaj Breivik pritet të vazhdojë edhe për 5-6 javë të tjera.
Top Channel