Bashkimi Evropian vazhdon presionin ndaj regjimit sirian. Ditën e hënë ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare do të miratojnë masa të reja kufizuese.
Lajmin e bëjnë të ditur burime diplomatike nga Unioni, sipas të cilave mes 27 vendeve të BE-së është arritur një marrëveshje në parim.
Sanksionet e reja do të prekin pasuritë e dy kompanive dhe tre individëve, që janë burime financimi për regjimin e presidentit Bashar al Assad. Bëhet fjalë për paketën e 15-të të sanksioneve kundër Damaskut.
Ndërkohë, Këshilli Kombëtar Sirian, grupi më i madh i opozitës, do të mblidhet javën e ardhshme në Kairo për të vendosur mbi presidencën.
Konkretisht, për konfirmimin e Burhan Ghalioun në drejtimin e saj, apo për emërimin e një presidenti tjetër, ka bërë të ditur George Sabra, një përfaqësues i KKS-së.
“Do të mblidhemi javën e ardhshme për të diskutuar për këtë çështje. Për KKS-në është momenti që të zgjidhet një president i ri”, ka thënë Sabra në një konferencë shtypi.
Ndërkohë, pasditen e së premtes në Siri është shmangur një tentativë për një sulm vetëvrasës përmes një autobombe, pas shpërthimeve masive të ndodhura një ditë më parë në Damask.
Televizioni shtetëror sirian ka raportuar se forcat e sigurisë kanë vrarë aspirantin për kamikaz, që në makinën e tij kishte rreth 1.200 kilogramë eksploziv.
Top Channel