Asnjë progres për disidentin kinez

11/05/2012 19:55

Disidenti i verbër kinez, i cili i shpëtoi arrestit në shtëpi duke u arratisur në ambasadën amerikane më parë gjatë muajit, deklaroi se nuk ka patur ende asnjë progres në aplikimin e tij për t’u zhvendosur në SHBA.

Përpara se Chen Guangcheng të largohej nga ambasada amerikane, duke hequr dorë edhe nga strehimi politik, atij iu premtua se do të kishte të drejtë të aplikonte lirisht për të studiuar jashtë vendit.

Një universitet amerikan i ka ofruar disidentit një bursë të plotë studimi dhe mundësinë për t’u zhvendosur në SHBA së bashku me familjen e tij, por deri më sot, asnjë zyrtar kinez nuk ka mbërritur në banesën e Guangcheng dhe asnjë formular nuk është plotësuar në lidhje me kërkesën e largimit të tij.

Sipas informacioneve të “CNN”, të gjitha formalitetet e zhvendosjes së tij në Universitetin e Nju Jorkut janë kompletuar, ndërsa pritet vetëm aprovimi përfundimtar i Pekinit zyrtar, në mënyrë që disidenti të largohet.

“Nuk kam dëgjuar ende asgjë. Autoritetet kineze më premtuan se do të ndihmojnë, por nuk e di nëse do ta bëjnë këtë me të vërtetë”, deklaroi Chen për korrespontët perëndimorë, nga një spital ku po kurohet në Pekin.

Ai shtoi se as diplomatët amerikanë nuk e kanë vizituar së fundmi, që prej vizitës së një doktori të ambasadës, të shoqëruar nga një përkthyes. Chen po trajtohet në spital për shkak të një dëmtimi të marrë në këmbë gjatë arratisjes së tij.

Më parë gjatë javës, mediat amerikane raportuan se pavarësisht deklaratave publike, Kina është duke ushtruar presion ndaj disidentit, duke burgosur anëtarë të familjes së tij.

Çështja e trajtimit të tij është shndërruar në një pikë thelbësore të marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Kinës, ndërsa Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, e vendosi trajtimin e aktivistit si një ndër çështjet me përparësinë më të madhe gjatë një vizite zyrtare në Kinë, më parë gjatë majit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA