Spanjë, shtetëzohet banka

10/05/2012 00:00

Me shpresën që t’i japë fund krizës 4-vjeçare të sektorit bankar, ekzekutivi spanjoll vendosi të marrë kontrollin e njërës prej bankave më të mëdha të vendit, “Bankia SA” pas ditë të tëra ankthi në tregje mbi qendrueshmërinë e saj.

Qeveria e djathtë e Mariano Rahoit u tha spanjollëve se sektori bankar ishte i sigurtë dhe masa shtesë do të merren për të ringritur në këmbë huadhënësit e mëdhenj, të prekur nga ngërçi financiar.

Ky sektor ka kaluar nëpër tre reforma të mëdha që prej goditjes së tregut të banesave në 2008-ën, e cila i la huadhënësit me asete toksike të një vlerë prej 184 miliardë eurosh, përfshirë këtu komplekse të tëra banesash të mbetura bosh.

Me 10 përqind të depozitave në sistemin bankar të vendit, Bankia konsiderohet më e madhja e 8 institucioneve financiare të shpëtuara nga qeveria këto vitet e fundit. Ajo u krijua në 2010-ën, kur shteti detyroi disa banka të dobëta kursimesh të shkriheshin në një të vetme, me shpresën se kështu do të arrinte t`i shpëtonte. Shumë spanjollë u shfaqen skeptike ndaj mënyrës se si qeveria po menaxhon krizën e Bankia-s. Vetë klientët e bankës në fjalë janë përpjekur të ruajnë qetësinë.

Qeveria spanjolle zgjodhi t’i konvertonte në aksione shtetërore fondet publike të injektuar më herët tek Bankia. Ajo ka tani 45 përqind të të gjitha aksioneve të bankës, por shumë shpejt pritet t`i shkrijë të dy entitetet e t`i vërë krejtësisht nën kontrollin e saj.

Top Channel