Kinë, ngadalësohen eksportet

10/05/2012 00:00

Rritja e eksporteve dhe importeve të Kinës është ngadalësuar në muajin
prill, duke ngjallur frikën për një ngadalësim të ndjeshëm të ekonomisë
së saj dhe për një lehtësim të politikës monetare.

Eksportet u ngritën me 4.9 për qind në prill, duke rënë nga kuota 8.9 për qind e regjistruar në muajin e mëparshëm, sinjal ky që tregon se kërkesa botërore po bie.

Ndërkohë, importet u rritën me vetëm 0.3 për qind, nën 5.3 për qind që u regjistrua në mars, sinjal ky që tregon se edhe kërkesa e brendshme po bie.

Kina është përpjekur të nxisë konsumin e brendshëm për të ribalancuar rritjen e saj.

“Është një shifër befasuese. Ajo që po shohim në Kinë në këtë moment është një ekonomi shumë e ekspozuar ndaj paqëndrueshmërisë”, ka deklaruar Alistair Thorntorn, ekspert i Global Insight në Pekin.

“Është e qartë se situata në Evropë po dëmton performancën e eksporteve kineze dhe po prek në tërësi rritjen ekonomike të saj”, ka shtuar eksperti për BBC.

Rritja agresive e ekonomisë së Kinës në vitet e fundit u shoqërua me një rritje të inflacionit dhe të çmimeve të pronës.

Si pasojë, Pekini prezantoi një seri masah të ndryshme, përfshirë frenimin e huadhënies, në përpjekje për të marrë nën kontroll rritjen e çmimeve të pronës dhe mallrave për konsum.

Top Channel