Kinë, presion ndaj familjarëve të disidentit Chen

10/05/2012 16:45

Autoritetet kineze duket se kanë rritur presionin mbi familjen e aktivistit të verbër, Chen Guangcheng, i cili u arratis nga arresti shtëpiak gjatë muajit të fundit dhe kaloi gjashtë ditë si i strehuar politik në ambasadën amerikane.

Guangcheng, i cili shpreson të zhvendoset me familjen në SHBA, ku i është ofruar një bursë studimi, ka shprehur edhe më parë frikë për familjarët e tij më të afërt.

Aktualisht, nipi i tij është duke u hetuar për tentativë vrasje për sulmimin me një thikë guzhine ndaj tre personave që hynë në shtëpinë e tij për të grabitur.

Kunati dhe kunata e Guangcheng janë vendosur gjithashtu në regjimin e arrestit shtëpiak, pa akuza të qarta.

Pekini zyrtar është shprehur se Chen do të tratjohet si të gjithë shtetasit e tjerë kinezë dhe se mund të largohet nga vendi për të ndjekur studimet jashtë shtetit thjesht duke aplikuar normalisht, por aktivistë pranë Guangcheng kanë akuzuar disa herë se përkrah deklaratave është duke punuar edhe një presion i fshehtë që ka vendosur aktivistin nën një presion të thellë psikologjik.

Aktualisht, mediat ndërkombëtare kanë informacion të kufizuar për jetesën e familjarëve të aktivistit të verbër në krahinën e Shadongut, ndërsa Chen po mbahet ende për trajtime në një spital.

Çështja e trajtimit të tij është shndërruar në një pikë thelbësore të marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Kinës, ndërsa Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, e vendosi trajtimin e aktivistit si një ndër çështjet me përparësinë më të madhe gjatë një vizite zyrtare në Kinë, më parë gjatë majit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA