Britani, grevë masive e sektorit publik

10/05/2012 00:00

Qindra mijëra punonjës të sektorit publik në Britaninë e Madhe po mbajnë
një grevë 24-orëshe, në shenjë proteste ndaj ndryshimit të skemave të
pensionit nga qeveria.

Qeveria deklaron se skemat aktuale të pensioneve nuk janë të drejta dhe të përballueshme, për shkak se njerëzit po jetojnë më gjatë.

Por sindikatat deklarojnë se njerëzit po vidhen dhe u duhet të paguajnë më shumë e të punojnë më gjatë për pensione më të ulëta.

Ndërkohë, qeveria britanike ka deklaruar se bojkoti në formë proteste i punonjësve të shërbimeve të burgjeve në Angli dhe Uells është i paligjshëm.

Në radhët e sektorit publik, punëtorët që po marrin pjesë në grevë janë shërbyes civilë, punonjës të ndihmës mjekësore, agjentë të policisë kufitare dhe lektorë.

Ndërkohë, rreth 20 mijë policë që nuk janë në shërbim pritet të mbajnë një manifestim në Londër në shenjë proteste ndaj shkurtimeve.

Liderët e sindikatave deklarojnë se deri në 400 mijë punëtorë po marrin pjesë në grevë, ndërkohë që qeveria thotë se bëhet fjalë vetëm për gjysmën e tyre.

Qeveria britanike planifikon të ngrejë moshën e daljes në pension në linjë me moshën e pensionit shtetëror, që sipas të gjitha gjasave do të jetë 68 vjeç.

Top Channel