
Të paktën 17 persona kanë humbur jetën si pasojë e rënies së flakëve në një qendër rehabilitimi ndaj lëndëve narkotike në kryeqytetin e Perusë, Lima.
Zjarri ka rënë në orët e mëngjesit të së shtunës (sipas orës lokale) pak kilometra larg kryeqytetit Lima.
Fillimisht flakët përfshinë katin e parë të ndërtesës, e më pas u përhapën me shpejtësi në pjesën më të madhe të saj. Megjithë mbërritjen e shpejtë të zjarrfikësve, 17 persona humbën jetën dhe dhjetra të tjerë pësuan djegie, para se flakët të viheshin nën kontroll.
Pjesa më e madhe e viktimave dyshohet se janë të shtruar në klinikën e rehabilitimit për varësinë e tyre ndaj lëndëve narkotike, por nuk përjashtohen humbjet edhe në radhët e personelit të klinikës.
Shkaku i rënies së zjarrit mbetet ende mister.
Top Channel