Sarkozy: Balotazhi shumë i ngushtë

04/05/2012 02:30

Nikolas Sarkozi beson se balotazhi i së dielës do të jetë shumë i fortë, gara mes dy kandidatëve tepër e ashpër dhe votuesi do të përcaktohet nga një avantazh tmerrësisht i ngushtë.

Pas debatit të ndezur televiziv të një ditë më parë, i ndjekur sipas vlerësimeve nga gati 17.9 milionë vetë, Sarkozi deklaroi se asnjëherë zgjedhjet nuk kanë qenë kaq pak të parashikueshme sa këtë radhë.
 
Hollande nga ana e tij i tha radios franceze se ditët finale të fushatës dhe pjesëmarrja në votime, mund të ndikojnë ndjeshëm rezultatin e balotazhit të dielën.

Të dy kundërshtarët janë duke marrë pjesë në tubime zgjedhore në territore mike: Socialisti hollande ka ndaluar në qytetin jug-perëndimor të Tuluzës, Sarkozi në portin jugor të Toulon-it. Secili prej tyre i ka shtuar apelet ndaj votuesve që mbështeten gjatë raundit të parë të zgjedhjeve lideren e Frontit Kombëtar, Marine Le Pen dhe Francois Bayro të qëndrës.

Le Pen e cila tërhoqi plot 6,4 milionë votues, një rekord për grupimin politik që drejton, deklaroi sot se zgjedhjet në fakt kanë përfunduar dhe se Sarkozy, ka humbur shumë kohë më parë.

Debati televiziv i së mërkurës u shndërrua në një arenë ku dy rivalët shkëmbyen akuza, me presidentin që e quajti Hollande-në gënjeshtar, dhe kundërshtarin që e sulmoi presidentin si njeri që i bën bisht përgjegjësive.

Programi u transmetua nga TF1 dhe France2, si dhe nga katër kanale më të vogla televizive. Ai zgjati dy orë e 50 minuta, një rekord ky për një debat të tillë zgjedhor në Francë.

Duke folur këtë mëngjes për France Inter radio, Hollande u shpreh thellësisht i vetëdijshëm se asgjë nuk ka mbaruar, dhe asgjë akoma nuk është fituar. Sarkozi nga ana tjetër, mendon se mundet, dhe se do të fitojë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA