Të paktën 12 persona mbetën të vrarë në dy shpërthime të ndodhura në periferi të Makhaçkalës, kryeqyteti i krahinës së trazuar ruse të Dagestanit.
Shpërthimi i dyfishtë, i ndodhur në orët e vona të së enjtes shënjestroi një postobllok policie në dalje të qytetit. Sipas burimeve mjekësore, janë të shumtë edhe njerëzit e plagosur.
Mediat ruse raportojnë se goditja e parë ndodhi kur një makine iu kërkua të ndalonte për të verifikuar dokumentat e shoferit. Gjatë kontrollit, mjeti shpërtheu.
20 minuta më pas, një shpërthim i dytë, i një kamioni të mbushur me eksplozivë, shkaktoi viktima të reja. “Pjesë të mbetjeve njerëzore janë përhapur në një perimetër prej dhjetëra metreash nga zona e shpërthimit. Është e pamundur që viktimat të njihen”, deklaroi një banor vendas për agjensinë “Interfax”.
Dagestani dhe Republikat fqinje të Ingushetisë dhe Çeçenisë janë përfshirë nga pasiguri e lartë dhe dhunë në vitet e fundit, si rrjedhojë e përplasjeve midis forcave ruse të sigurisë dhe militantëve islamikë që kërkojnë të themelojnë një shtet të pavarur.
Asnjë grup nuk ka marrë ende përsipër përgjegjësinë e sulmeve, ndonëse në Dagestan ngjajet të tilla nuk janë të rralla, pasi krahina me shumicë muslimane konsiderohet si një prej më të pasigurtave në botë.
Top Channel