Pas lajmit të publikuar nga mediat italiane për diplomimin e djalit të Umberto Bossi-t në Shqipëri, Prokuroria e Tiranës ka vendosur të nisë verifikimet mbi këtë rast.
Burime pranë prokurorisë thanë se do të verifikojnë pranë regjistrave të Universitetit Kristal të gjithë praktikën e regjistrimit dhe diplomimit të dy shtetasve italianë, për të parë nëse ka apo jo elementë të falsifikimit të dokumnetave zyrtare.
Pas këtij verifikimi, prokuroria do të vendosë nëse do të hapë apo jo një hetim penal për këtë rast. Pjesë e proçedurës do të jetë edhe sistemi TIMS, për të verifikuar faktet e publikuara në media.
Ndërkohë, skandali i Renzo Bossi-t, djalit të liderit historik të Lidhjes së Veriut, Umberto Bossi, dhe diplomës së tij të marrë në Shqipëri, me të gjitha gjasat pa e shkelur kurrë këtë vend, ka çuar drejt zgjerimit të hetimeve edhe mbi të tjerë eksponentë të partisë së njohur për tendencën kundër emigrantëve, përfshirë këtu shqiptarët.
Dyshime të forta janë hedhur tani edhe mbi diplomën e vetë përgjegjësit të zyrës së thesarit pranë këtij grupimi politik, Francesco Belsito.
Hetuesit po përpiqen të kuptojnë se çfarë arsimimi e referencash kishte ish-administratori për të menaxhuar thesarin, përderisa gjatë kërkimeve mbi fondet e Lega Nord dhe akuzat për abuzime, është zbuluar se shkolla private e Frattamagiore në Napoli, ku Belsito pretendon të jetë diplomuar, kishte falimentuar me kohë e nuk ekzistonte më.
Dyshimet se diploma mund të jetë e rremë i përforcojnë edhe analizat e para, sipas të cilave, vula apostille mund të jetë falso. Për më shumë, Belsito pretendon se ka marrë masterin në Shkencat Politike pranë universitetit telematik me kurse online “John Kennedy”, në Milano.
Por edhe mbi ekzistencën e këtij universiteti, thotë “Corriere della Sera”, ka dyshime të forta. Rastet e Renzo Bossi dhe Pierangelo Moscagiuro, edhe pse ende nën hetim, kanë ngjallur reagim të menjëhershëm në Itali, ku shtypi mbi të gjitha i denoncon si flagrante për shkak se diplomat e tyre mund të jenë paguar me paratë e partisë.
Prej dy diplomave në fjalë, tani në lupë po kalojnë edhe titujt akademikë të Belsito-s, e mbase lista s’do të ndalet këtu. I biri i Umberto Bossi-t nuk njihej si njeri shumë i dhënë pas shkollës.
Korrikun e vitit 2009 ai mësohet të ketë marrë diplomën e pjekurisë në moshën 21-vjeçare, pas katër tentativash të dështuara dhe në tetor të 2010-ës rezulton i diplomuar për menaxhim biznesi, Dega e Ekonomisë në Universitetin Kristal të Tiranës.
Me nota 8, 9 apo 10, Renzo ka marrë 29 provime në këtë fakultet, të gjitha në shqip, në një kohë kur ai nuk e ka folur kurrë gjuhën tonë. Ndërkohë, një ditë më parë Universiteti Kristal deklaroi se shtetasi italian Renzo Bossi është regjistruar në bazë të dokumentacionit të paraqitur në administratën e universitetit, në vitin akademik 2007-2008, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
Por a ka qëndruar ndonjëherë në Shqipëri Renzo Bossi? Karabineria italiane deklaron se Renzo Bossi nuk ka patur asnjëherë leje qëndrimi në Shqipëri, dhe nëse kjo ka ndodhur, ai ka qëndruar si klandestin.
Ndërkohë, burime të policisë kufitare shqiptare bëjnë të ditur se Renzo Bossi rezulton të mos ketë hyrë asnjëherë në vendin tonë. Ai nuk figuron në asnjë të dhënë të sistemit TIMS, që regjistron hyrjet dhe daljet e të gjithë shtetasve në Shqipëri.
Sipas dosjes “The Family”, që ndodhet në duart e prokurorëve të Napolit dhe Milanos, 24-vjeçari ka shlyer brenda një viti të gjitha provimet e parashikuara për tre vjet në Universitetin Kristal.
“Kristali”, Ministria: Do të verifikojmë
Ndërkohë, Ministri i Arsimit nuk ka bërë asnjë deklaratë publike, pas skandalit ndërkombëtar të bërë publik nga mediat italiane ku denoncohej trafikimi i diplomave nga “Universiteti Kristal”.
Në Zyrën e Shtypit thuhet se do të nisë një verifikim në këtë universitet, i cili ka mbyllur dyert për çdo gazetar që kërkon një informacion mbi këtë çështje.
Ish-rektori i këtij universiteti Maringlen Spiro ka pranuar përmes një telefonate se ai ka firmosur diplomën e djalit të Umberto Bossi-t, i cili sipas tij ka kryer për katër vite shkollën në këtë universitet.
Por, ndërsa në Ministrinë e Arsimit nuk reagon askush, deputetja e opozitës Ledi Shamku thekson se ky skandal ishte një ngjarje e paralajmeruar, e cila është lejuar të ndodhë nga vetë krerët e arsimit shqiptar.
“Pse do të bëhej shkak kjo hapje kapaku, për ta sjellë të faktuar një tregues që dihet në Shqipëri, që shteti me dashje nuk bën asnjë kontroll mbi rregullat, standardet dhe kushtet e shkollimit të të rinjve shqiptarë”, tha Shamku.
Sipas saj, Ministria e Arsimit duhet të bëjë akreditimin e universiteteve, në mënyrë që shqiptarët të dinë se ku po i shkollojnë fëmijët e tyre.
“Shteti ka detyrimin t’i kërkojë universiteteve private, që rregullisht të publikojnë emrat e studentëve që janë vit pas viti, emrat e atyre që ngelin, emrat e atyre që barten dhe në këtë mënyrë sillet një listë protokollare. Automatikisht bëhet e pamundur regjistrimi dhe marrja e diplomës brenda një viti, sepse çdo universitet privat jep llogari për këtë”, tha Shamku.
Trafikimi i diplomave ka nisur prej kohësh në universitetetet private, thekson zonja Shamku, çka po sjell një brez të diplomuarish të papunë.
“Nëpërmjët një sistemi të besueshëm dhe transparent akreditimi, shteti i del garant qytetarëve të vet, duke thënë qartë se cila është cilësia, renditja prej verifikimit të kryer. Pastaj zgjedhja është natyrisht e konsumatorëve, por shteti bën transparencë me gjendjen e arsimit publik dhe privat. Sot shqiptarët nuk i kanë asnjë kusur që të ndjehen të zhvlerësuar në diplomat e veta në sytë e botës”, thotë Shamku.
Por ndërsa Ministria hesht, përfaqesuesit e Aleancës Kuq e Zi kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit.
Alternativa Civile: Hetim universiteteve
Ndërkohë lëvizja Alternativa Civile, kërkon hapjen me urgjencë të një hetimi për të verifikuar të gjithë procedurën e regjistrimit dhe diplomimit të studentëve shqiptarë dhe të huaj nga ky universitet, por edhe universitete e tjera private në vend.
“Ne kemi ionformacione se pranë këtij universiteti janë pranuar ndër vite studentë duke u regjistruar drejtëpërdrejt në vitet e dyta dhe të treta, ose duke mos i frekuentuar fare katër vitet e sistemit shkollor, por duke paguar koston e të gjitha viteve njëherësh. Qeveria duhet të marrë masa për të bllokuar këtë maskaradë që po shkatërron arsimin dhe po hedh në tregun e punës një armatë të diplomuarish të rremë.
“Alternativa Civile, thekson se shkatërrimi që i është bërë sistemit arsimor universitar është një dëm që shoqëria dhe vendi do ta paguajnë ndër breza, ndaj ne këkon me forcë mbylljen këtyre universiteteve dhe vënien para përgjegjësisë penale të mashtruesve që kanë shndërruar arsimin e lartë në punishte diplomash”, theksohet në deklaratën e Alternativës Civile.
Reagon Minstria e Arsimit
Në lidhje me skandalin e diplomimit në Shqipëri të djalit të Umberto Bossit, reagoi edhe Ministria e Arsimit me anën e një deklarate për shtyp.
“Ministria Arsimit dhe Shkencës, bën të ditur se ka kërkuar menjëherë informacion të hollësishëm nga Institucioni i Arsimit të Lartë “Kristal” dhe ka ngritur një grup pune për të inspektuar rastin në fjalë”, thuhet në deklaratë.
Ndërkohë thekson se një grup monitorimi i MASH dhe Agjencisë së Akreditimit të Arsimit të Lartë po vazhdon inspektimin në të gjithë Institucionet e Arsimit të Lartë privat, për zbatimin e ligjshmërisë dhe standardeve, sipas një kalendari të miratuar kohë më parë.
Top Channel