Rusia: Mburoja anti-raketë, kosto të lartë

03/05/2012 09:55

Çmimi i vendimeve të gabuara në lidhje me mburojën anti-raketë, me veprimet e njëanshme të SHBA dhe NATO-s, mund të jetë “jashtëzakonisht i lartë”.

Është ky mesazhi i presidentit në ikje të Rusisë, Dmitry Medvedev mbi projektet amerikane për mburojën hapësinore në Evropë.

Deklaratën e tij Medvedev, që shumë shpejt do të zëvendësohet nga Vladimir Putin, e ka bërë gjatë konferencës mbi mbrojtjen raketore të hapur në Moskë.

Ndërsa ministri rus i Mbrojtjes, Anatoli Serdiukov ka deklaruar se situata mbi mburojën anti-raketë të Perëndimit është në një “pikë të vdekur”.

Shtetet e Bashkuara deklarojnë se mburoja anti-raketë synon vetëm mbrojtjen e Perëndimit nga kërcënimet e Iranit dhe se nuk ka të bëjë fare me Rusinë.

Por Vladimir Putin, i rizgjedhur president, ka deklaruar se për momentin SHBA-ve dhe BE-së nuk i kanoset asnjë kërcënim nga Irani dhe se mburoja ka si objektiv neutralizimin e Rusisë.

Për këtë, ai ka paralajmëruar se do të vendosë raketa në një zonë strategjike të ish-Bashkimit Sovietik, prej nga mund të shënjestrojë objektiva perëndimorë.

Ndërkohë, presidenti amerikan Barack Obama i tha pak kohë më parë homologut në ikje Dmitry Medvedev se do ta diskutonte çështjen në fjalë personalisht me Putin pasi të rizgjidhej.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA