OKB sanksionon tre kompani koreano-veriore

03/05/2012 11:45

Kombet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj tre kompanive shtetërore koreano-veriore, si kundërpërgjigje ndaj testit të Penianit për të lëshuar një raketë-satelit muajin e kaluar.

Vendimi për të ngrirë asetet e kompanive dhe përjashtimi i tyre nga tregtia globale u miratua nga komiteti i sanksioneve i Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kishin dashur të fusnin në listën e zezë rreth 40 kompani koreano-veriore, por Kina bllokoi lëvizjen në fjalë.

Tensionet në gadishullin korean mbeten të larta pas testit të 13 prillit. Peniani tha atëherë se po lëshonte një satelit në orbitë, por kritikët thanë se bëhej fjalë vetëm për testimin e teknologjisë së një rakete, të ndaluar nga rezolutat e OKB-së.


Lëshimi i raketës dështoi
, me pajisjen që u rrëzua në det vetëm pak momente pasi ishte lëshuar në ajër.

Ditën e mërkurë, komiteti i sanksioneve futi në listën e zezë tre kompanitë e njohura si “Green Pine Conglomerate”, “Amroggang Development Banking Corporation” dhe “Korea Heungjin Trading Company”. Thuhet se ato ishin përfshirë në financimin, eksportin dhe prokurimin e armëve.

Ambasadorja e SHBA në OKB, Susan Rice përshëndeti vendimin, duke thënë në një deklaratë se, “ai përbën një përgjigje serioze dhe të besueshme ndaj provokimit të Koresë së Veriut”.

“Këto masa do të rrisin izolimin e Koresë së Veriut dhe do ta bëjnë më të vështirë për Penianin që të ecë përpara me programet e tij ilegjitime”, tha Rice.

Dy ditë më parë presidenti amerikan Barack Obama dhe kryeministri japonez Yoshihiko Noda paralajmëruan Korenë e Veriut se, metodat e saj provokuese kanë marrë fund

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA