Nga një konflikt i armatosur mes ushtrisë meksikane dhe anëtarëve të një bande droge kanë mbetur të vrarë të paktën 12 persona, mes të cilëve dy ushtarë.
Shkëmbimi i zjarrit u regjistrua në Guasave, në veri-perëndim të Sinaolas, një ndër shtetet meksikane më të prekura nga dhuna e lidhur me narkotrafikun.
Persona të armatosur, duke përdorur granata dhe armë automatike i zunë pritë patrullës ushtarake para se të tërhiqeshin në një hotel, pasi policia dhe ushtria mbërritën në vendin e ngjarjes.
Shkollat dhe bizneset në këtë shtet kanë mbetur të mbyllura pas luftimeve të ashpra që shpërthyen mëngjesin e së mërkurës, me orën lokale.
Forcat e sigurisë sekuestruan automjete dhe armë, përfshirë një pushkë të fuqisë së lartë, në gjendje të depërtonte automjetet e blinduara, ka bërë të ditur prokurori i shtetit të Sinaloas.
“Një operacion i forcave të rendit është në zhvillim e sipër për të rivendosur qetësinë dhe sigurinë në zonën e Guasaves”, deklaroi ndërkohë guvernatori i shtetit, Mario Lopez Valdez.
Ai hodhi poshtë deklaratat se autoritetet po humbasin kontrollin e sigurisë në Sinaloa, raportoi agjencia e lajmeve “EFE”.
Shteti në brigjet e Paqësorit është bastion i kartelit të fuqishëm të drogës me të njëjtin emër, të drejtuar nga trafikanti më i kërkuar në botë, Joaquin “El Chapo” Guzman.
Por pushteti i kartelit për kontrollin e rrugëve të trafikut të kokainës drejt Shteteve të Bashkuara po sfidohet nga grupe kriminale rivale, mes të cilave spikat Los Zetas.
Top Channel