Këshilli Kombëtar i Tranzicionit në Libi, struktura që kryen funksionin e një qeverie të përkohshme, vendosi heqjen e e një ligji që pengonte pjesëmarrjen e partive islamike në zgjedhjet e qershorit.
Në të njëjtën kohë, KKT lajmëroi se glorifikimi dhe përkrahja publike e regjimit të Gaddafit tashmë do të përbëjë një kundravajtje ligjore, e dënueshme me gjobë ose me burg.
Në qershor, mbi gjashtë milionë libianët do të zgjedhin anëtarët e Parlamentit të tyre të parë që prej rënies së diktaturës, në tetor 2011.
Në mungesë të regjistrave të saktë të popullisisë, qëndrat e regjistrimit janë hapur që prej datës një maj dhe të gjithë banorët do të kenë në dorë të zgjedhin personalisht se ku do të votojnë, duke u regjistruar në një qendër.
Më përpara, KKT kishte shpallur një ndalim pjesëmarrje ndaj partive fetare, rajonale, tribale dhe me linja etnike, por duket se është tërhequr nga ky vendim si rrjedhojë e presionit të madh të islamistëve.
Sipas qeverisë, një ligj i tillë ishte hartuar për të ruajtur “unitetin kombëtar”, por tërheqja nga kjo masë tashmë do të lejojë lëvizjet popullore islamiste dhe disa parti që pretendojnë autonomi të gjerë për disa rajone, që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Parlament.
Këto janë zgjedhjet e para që mbahen në Libi që prej disa dekadash.
Top Channel