Me qindra protestues zgjatën qëndrimin e tyre jashtë Ministrisë Egjiptiane të Mbrojtjes për të gjashtën ditë radhazi ditën e enjte, ndërsa organizatorët e tubimit bënë thirrje për protesta të reja masive pasi 11 demonstrues u vranë më parë gjatë javës, në përleshjet me persona të paidentifikuar.
Koalicioni i grupeve civile, i njohur ndryshe si Bordi i Trusteve dhe Revolucionit, dënoi përleshjet në lagjen Abaseja në Kajro dhe kërkoi dotëheqjen e menjëhershme të qeverisë aktuale, në dorë të ushtarakëve. Sipas tyre, agresorët ishin njerëz të paguar nga qeveria.
Protestat kanë rikthyer dhunën në vendin me 85 milionë banorë, në një moment delikat, përpara zgjedhjeve presidenciale në fund të majit, që shihen si përcaktuese për fatet e Egjiptit.
Këto do të jenë zgjedhjet e para që prej largimit nga pushteti pas 32-vitesh i diktatorit Hosni Mubarak, që dha dorëheqjen në shkurt 2011, pas protestave masive gjatë së cilave u vranë mbi 800 qytetarë.
Shumica e protestuevse përpara Ministrisë së Mbrojtjes kanë kërkuar rikthimin në garë për zgjedhjet e 23 majit të kandidatit islamist Hazem Abu Ismael, i përjashtuar nga komisioni zgjedhor me preteksin e pasaportës amerikane të nënës së tij.
Në total, dhjetë nga 23 kandidatët e regjistruar në votime u s’kualifikuan, midis të cilave edhe një përfaqësues i partisë më të madhe në vend, Vëllazërisë Muslimane dhe ish-drejtori i shërbimeve sekrete në kohën e Mubarak, një përfaqësues i atyre pak nostalgjikëve që kanë mbetur në vend.
Top Channel