Disidenti kinez kërkon të lërë vendin

03/05/2012 08:00

Disidenti kinez Chen Guangcheng ka deklaruar se ka frikë për jetën e tij dhe se dëshiron të largohet nga Kina, disa orë pasi braktisi selinë e ambasadës amerikane në Pekin.

Chen tha se u largua nga ambasada amerikane ku ishte strehuar pasi autoritetet kineze kërcënuan anëtarët e familjes së tij.

Por ambasadori amerikan Gary Locke deklaroi se zotit Chen nuk i ishte bërë kurrë presion për t’u larguar.

Çështja vazhdon të mbulojë vizitën dyditore të sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, që është përqendruar tek marrëdhëniet tregtare dhe sigurinë.

Më herët zonja Clinton shprehu mbështetjen e saj për zotin Chen, i cili është mbajtur në arrest shtëpie për pothuajse dy vjet. Por gjatë bisedimeve të zhvilluara, ajo nuk e ka përmendur emrin e tij.

“Shtetet e Bashkuara besojnë se asnjë shtet nuk mund të legjitimojë të drejtat universale që i takojnë çdo njeriu, apo të ndëshkojë ata që i ushtrojnë ato”, tha shefja e diplomacisë amerikane në hapjen e sesionit vjetor të Dialogut Strategjiko-ekonomik mes SHBA dhe Kinës.

“Një Kinë që mbron të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj do të jetë një partner më i fortë dhe më prosperues për Shtetet e Bashkuara”, u shpreh Clinton.

Kina dhe Amerika mund të mos i zgjidhin dot të gjitha problemet e botës, vijoi ajo, por me bashkëpunimin mes tyre pa dyshim që çdo problem mund të zgjidhet.

Ndërsa presidenti kinez Hu Jintao, duke folur në hapjen e bisedimeve, tha se është e pamundur për Kinën dhe Shtetet e Bashkuara që të shohin “sy për sy çdo problem”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA