Clinton: Kina të ndihmojë në Iran, Siri e Kore

03/05/2012 16:10

Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, kërkoi nga Kina të enjten që të shndërrohet në një partner në qetësimin e situatës ndërkombëtare, duke ushtruar influencën e saj në vende si Irani, Siria apo Korea e Veriut.

Deklarata e Clinton erdhi në kuadër të dialogut strategjik dhe ekonomik midis dy shteteve.

Sekretarja gjithashtu vendosi nën presion Pekinin për respektimin e të drejtave të njeriut dhe veçanërisht për çështjen mediatike të disidentit Chen Guangcheng.

”Përsa i përket Iranit, SHBA, ashtu si dhe Kina, janë të mendimit që ky shtet duhet të parandalohet nga shndërrimi në një fuqi bërthamore”, deklaroi Clinton në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin Hu Jintao.

”Është shumë e rëndësishme që të ushtrojmë presionin e domosdoshëm që Irani të përmbushë detyrimet e tij ndërkombëtare. Kjo mund të arrihet me një qëndrim serioz dhe bisedime të qarta, deri në momentin që Irani të japë prova të pakundërshtueshme se është i përkushtuar vetëm për një program me qëllime paqësore. Kina gjithashtu mund të japë një kontribut të vyer në zgjidhjen e krizës siriane apo në rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Koresë së Veriut, me qëllim që ky vend të heqë dorë nga projektet bërthamore dhe lëshimi i raketave në të ardhmen”.

Kina është blerësi kryesor i naftës së papërpunuar iraniane dhe deri më sot, i ka rezistuar presionit të SHBA-së, për të vendosur sanksione ndaj Teheranit.

Pekini ka refuzuar edhe kërkesën e Uashingtonit dhe aleatëve të tij aziatikë për të luajtur një rol më aktiv në Korenë e Veriut, ku Kina është i vetmi shtet që ka një influencë të vërtetë.

”Pa dyshim, si pjesë e dialogut tonë jo vetëm me Kinën, por me çdo partner ndërkombëtar, është edhe çështja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, shtoi Clinton në fjalën e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA