“Vallëzimi” i Obamës me Kabulin

02/05/2012 21:05

Gazetarët e NBC-së, Chuck Todd dhe Mark Murray, e quajtën vizitën surprizë të shefit të Shtëpisë së Bardhë në Afganistan, një “vallëzim delikat i Obamës me Kabulin”, një përpjekje e zgjuar për të vënë në balancë një luftë jopopullore dhe interesat strategjike.

Zgjedhja e përvjetorit të vrasjes së Osama bin Laden për këtë udhëtim nuk ishte rastësi, por një hap i menduar mirë.

Lufta e Afganistanit nuk është aspak popullore në Shtetet e Bashkuara, dhe kur amerikanët me padurim po presin fundin e saj, presidenti zgjodhi pikërisht këtë moment për të shitur një politikë që nuk do të pritej aq mirë: tërheqje po, por jo tani.

“E di se shumë amerikanë janë të lodhur nga lufta. Si president mund t’ju them se nuk ka pikëllim më të madh se të firmosësh letrat e dërguara familjeve të të rënëve. Nuk do t’i mbaja amerikanët të ekspozuar ndaj rrezikut as edhe një ditë më shumë nga sa i nevojitet sigurisë tonë kombëtare, por duhet ta përfundojmë punën e nisur në Afganistan dhe ta mbyllim këtë luftë me përgjegjësi”, deklaroi Obama gjatë vizitës.

Për Obamën nuk mund të ketë tërheqje të parakohshme nga Afganistani, sepse në këtë mënyrë, lufta kundër Al Kaedës do të ishte e rrezikuar.

Me vizitën e tij u bë edhe një herë e qartë se presidenti duhet të dërgojë vazhdimisht dy mesazhe. Njërin për amerikanët: ne do t’i sjellim trupat në shtëpi. Dhe tjetri për afganët: nuk ju lëmë në baltë.

Por në provincën e Kandaharit, vatër e episodeve të dhunshme, njerëzit nuk duken të kënaqur me paktin strategjik të nënshkruar në Kabul.

“Nuk jemi të kënaqur me paktin e firmosur nga Karzai dhe Obama. Nuk duam që amerikanët të qëndrojnë në vendin tonë. Duam të jemi të pavarur”, ka thënë një banor.

“Nuk i duam këtu forcat amerikane dhe as bazat e tyre ushtarake, duam forcën tonë afgane dhe do ta mbështesim deri në fund”, është shprehur një tjetër.

Pak orë pasi presidenti amerikan la Kabulin, një autobombë shpërtheu pranë një kompleksi banesash në kryeqytet, që strehon përgjithësisht të huaj. 6 persona humbën jeten, një roje sigurie dhe 5 kalimtarë të rastit, ndërsa 17 të tjerë u plagosën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA