Ushtria Siriane akuzohet për krime lufte

02/05/2012 16:30

Një grup i të drejtave të njeriut akuzoi Ushtrinë Siriane për kryerjen e krimeve të luftës përpara hyrjes në fuqi të armëpushimit të datës 12 prill.

”Human Rights Watch” deklaroi gjithashtu se luftimet në krahinën e Idlibit, në veri të Sirisë, mund t’i përshtaten përkufizimit të “konfliktit të armatosur”, siç parashikohet ai nga ligji ndërkombëtar.

Gjatë së mërkurës, aktivistët lajmëruan edhe për vrasjen e 15 ushtarëve qeveritarë, në një pritë të kryengritësve, pranë fsahtit të al-Rait, në krahinën e Alepos.

Dy antarë të Ushtrisë së Lirë të Sirisë, frontit të bashkuar të rebelëve, gjithashtu mbetën të vrarë në këto luftime.

Gjashtë ushtarë të tjerë mbetën të vrarë në përleshje pranë Damaskut. Midis shteteve të mëdha, vetëm Rusia ka reaguar nëpërmjet një deklarate zyrtare, në të cilën dënon sulmet terroriste në Siri.

”Grupet e rebelëve kanë lëshuar një fushatë në shkallë të gjerë për të destabilizuar vendin dhe për të pamundësuar hyrjen në fuqi të armëpushimit të negociuar më parë mes palëve, nëpërmjet të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Kofi Annan”, shkruhej në një komunikatë të Moskës zyrtare.

Megjithatë, qëndrimi rus ka pak gjasa që të gjejë mbështetje mes vendeve perëndimore, të cilat besohet se furnizojnë kryengritësit me armë dhe kanë dënuar vazhdimisht regjimin e Bashar al-Assad, një alet i rëndësishëm i Kremlinit në Lindjen e Mesme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA