Sarkozy kritikon sindikatat

02/05/2012 01:20

Nikolas Sarkozy mbajti një tubim gjigand me rastin e 1 majit përpara kullës “Eiffel”, ku turmën e përshëndeti duke thënë se 200.000 vetë kishin ardhur në miting, edhe pse kjo shifër nuk mori ndonjë konfirmim të paanshëm.

Presidenti, i dyti me të paktën tre pikë përqindje pas Francois Hollande në sondazhet para-zgjedhore, kritikoi sindikatat për mbështetjen e dhënë socialistëve dhe për protestën që vendosën të mbanin në anën tjetër të Parisit.
              
“U them sindikatave: lërini mënjanë partitë politike. Në republikë nuk qeverisin sindikatat, por kabineti qeveritar. Nuk janë sindikatat ato që bëjnë ligjet, është parlamenti. Dhe në Republikën Franceze, ai që vendos është populli. Kur ka ndonjë mosmarrëveshje, njeriu duhet t’i bëjë zotimet e tij përpara popullit, kjo është Republika e Francës. Lëreni mënjanë flamurin e kuq e qëndroni larg politikës”, deklaroi Sarkozy.

Duke përsëritur paralajmerimin e tij tashmë të përhershëm se vetëm kontrolli i rreptë i shpenzimeve qeveritare do ta shpëtojë Francën nga i njëjti fat si ai i Greqisë apo Spanjës, Sarkozi fshikulloi institucionet financiare, duke thënë se vendit i nevojitet një kulturë e rreptë pune dhe shpërblimi për atë që punon.

“Duam projekte te medha per nje vend madheshtor si franca. nuk duam xhelozi, nuk duam zemerim e urrejtje, nuk duam lufte klasash. nuk duam socializem”, vazhdoi Sarkozy.

Në të njëjtën ditë, liderja e ekstremit të djathte, Marine Le Pen e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të mbështesë asnjërin prej dy kandidatëve në balotazhin e së dielës, që janë përpjekur të fitojnë votat e elektoratit të saj.

Le Pen, e cila u rendit e treta në raundin e parë të zgjedhjeve, deklaroi se simpatizantët e Frontit Kombëtar duhet të dëgjojnë ndërgjegjen e tyre kur të hedhin votën. Por si Sarkozi dhe Hollande shtoi liderja e ekstremit të djathtë, do t`ia dorëzojnë pushtetin Europës, për këtë arsye, vota ime do të jetë e bardhë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA