Lokalizohet trupi i Bin Laden?

02/05/2012 16:35

Bill Warren, i njohur si “gjahtari kalifornian i thesareve të zhdukura në det”, pretendon se ka lokalizuar trupin e pajetë të Osama Bin Laden.

Warren njoftoi nisjen e fushatës kërkimore për trupin e pajetë të Bin Laden menjëherë pasi autoritetet amerikane thanë se e hodhën atë në det, në qershorin e vitit të kaluar.

Në një intervistë për gazetën spanjolle “El Mundo”, ai thotë se nuk ka asnjë dyshim; ka lokalizuar se ku ndodhet trupi i themeluesit të Al Kaedas dhe personit më të kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgjatë 10 viteve.

“Kam lokalizuar vendndodhjen se ku e kanë hedhur trupin e tij. Unë jam i vetmi që kam këtë informacion. Trupi i pajetë i Bin Laden ndodhet 322 kilometra në perëndim të qytetit indian të Suratit”, citohet Warren nga “El Mundo”.

Warren shton se trupi i pajetë i Bin Laden u hodh në det brenda një cante nga bordi i një luftëanijeje amerikane, pas operacionit blitz të forcave speciale në Abotabad. Ai pretendon se ka lokalizuar me koordinata të sakta vendndodhjen e trupit dhe shton se tashmë është në përpjekje për të marrë hua mjete zhytëse nga Rusia në mënyrë që të rekuperojë trupin që ndodhet qindra metra në thellësi. Menjëherë sapo të tërhiqet në sipërfaqe, Ëarren thotë se trupi do t’i nënshtrohet analizave të ADN-së, për të verifikuar shkencërisht pretendimin e tij.

Bin Laden u vra në 2 maj të vitit të kaluar pas një operacioni flesh të “Team Seals Six”, forcat elitare të ushtrisë amerikane, në rezidencën e tij në Abotabad të Pakistanit. Pas ekzekutimit, trupi i pajetë i ish-kreut të Al Kaedas u zhvendos në një luftëanije amerikane për verifikime të mëtejshme. Pasi rezultoi pozitive, pra pasi u vërtetua se Bin Laden ishte asgjesuar, në prag të 10-vjetorit të sulmeve në “Kullat Binjake”, autoritetet amerikane vendosën hedhjen e trupit në det.

Varrosja në thellësi të ujërave oqeanike u pranua nga vetë amerikanët, të cilët e argumentuan këtë vendim me shmangien e mundësisë që varri i tij të shndërrohej në një vend të shenjtë për radikalët islamikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA