Nga azili në Republikën Çeke, bashkëshorti i lideres së burgosur të opozitës ukrainase, Yulia Tymoshenko-s, i bëri thirrje gruas së tij që të ndërpresë grevën e urisë, të nisur 12 ditë më parë për shkak të agresionit të tre gardianëve ndaj saj.
”Jeta e një njeriu që ka transmetuar gjithmonë vetëm shpresë dhe gëzim mund të ndërpritet nga një moment në tjetrin”, deklaroi Oleksandr Tymoshenko. “Kujt i leverdis diçka e tillë? Vetëm presidentit Janukovych, i cili dëshiron ta shkatërrojë, ta torturojë dhe ta poshtërojë”.
Gjendja shëndetësore e 51-vjeçares ka ardhur në përkeqësim të vazhdueshëm që prej dënimit të saj me shtatë vite heqje lirie, për shpërdorim detyre në firmosjen e një kontrate madhore gazi me Rusinë, gjatë kohës kur kryesonte qeverinë, në vitin 2009.
Megjithatë, pavarësisht probleme të Tymoshenko-s dhe protestave të vazhdueshme të vendeve perëndimore, që e kanë konsideruar burgosjen e saj si një vendim politik, autoritetet zyrtare mbeten të vendosura në zbatimin e ndëshkimit të dhënë nga Gjykata e Lartë e Kievit.
Duke komentuar kërkesën e BE-së për lirimin e menjëhershëm të lideres së opozitës, presidenti i Ukrainës, Viktor Janukovych ironizoi më parë gjatë prillit duke thënë se “edhe nëse ai do të dëshironte ta lironte, nuk mund ta bënte këtë pasi asnjë udhëheqës shtetëror nuk mund të jetë mbi ligjin”.
Së fundmi, një proces i ri ka nisur ndaj Tymoshenko-s, e akuzuar për gjithashtu për evazion fiskal dhe mashtrim me taksat. Nëse akuzat e dyshimta do të provohen, atëherë burgosja e ish-kryeministres mund të zgjatet deri në maksimumin e 18 viteve.
Çështja Tymoshenko-s është shndërruar në temën e ditës edhe në Bashkimin Europian, me shumë liderë shtetesh që kanë bojkotuar vizitat shtetërore në Kiev dhe që kanë lajmëruar gjithashtu për bojkotimin e Europianit që Ukraina zhvillon në bashkëpunim me Poloninë.
Top Channel