Prej një muaji marrëdhëniet diplomatike mes Arabisë Saudite dhe Egjiptit janë nën tension. Shkak është bërë arrestimi i aktivistit egjiptian të të drejtave të njeriut, Ahmed al-Gizaui.
Al-Gizaui mbahet në burgjet saudite nën akuzën e trafikimit të drogës dhe fyerjes së Mbretit Abdullah.
Mijëra egjiptianë u grumbulluan para ambasadës së Arabisë Saudite në Kajro për të kërkuar lirimin e tij. Protestuesit pretendojnë se dënimi lidhet me aktivitetin e tij kritikues ndaj Mbretërisë Saudite për mënyrën e trajtimit të të burgosurve egjiptianë në vend.
Ahmed al-Gizaui, me profesion jurist në disa qendrime publike ka denoncuar, ato që ai i quan kushte dhe trajtime çnjerëzore të të burgosurve egjiptianë në Arabi. Egjiptianët thonë se ai u arrestua muajin e kaluar në aeroportet saudite teksa po udhëtonte për kryerjen e një riti fetar.
Por ky qendrim i egjiptianëve hidhet poshtë nga Arabia Saudite. Autoritetet e këtij vendi thonë se Ahmed al-Gizaui u kap në aeroport me drogë dhe se në bagazhet e tij nuk ishte veshja e bardhë e pelegrinazhit fetar.
Riadi, ka vlerësuar se gjendja e sigurisë së diplomatëve të tij në Kajro s’është e favorshme dhe për këtë ka vendosur mbylljen e ambasadës dhe tërheqjen e ambasadorit nga Egjipti.
Top Channel