Ushtria siriane vrau të shtunën 10 persona në veri të Damaskut, mes të cilëve edhe civilë.
Aktivistët thanë se vrasjet ndodhën pasi një grup ushtaresh dezertuan dhe iu bashkuan kryengritësve. Ata u vunë në shënjestër të forcave besnike të presidentit Bashar Al Assad.
Sipas dëshmive, katër rebelë dhe gjashtë civilë mbeten të vrarë, por Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut thotë se të gjithë viktimat ishin dezertorë.
Në një incident tjetër, në Latakia raportohet për persona të armatosur që sulmuan njësitë ushtarake siriane në brigjet e Mesdheut. Raportohet për viktima nga të dy anët.
Të premten 10 persona humbën jetën dhe 20 të tjerë u plagosën pas një shpërthimi kamikaz në qendër të kryeqytetit të Sirisë. Në një tjetër zhvillim, zyrtarët libaneze thanë se marina e vendit sekuestroi armë, të destinuara për kryengritësit sirianë.
Top Channel