Kryeministri në ikje i Holandës, Mark Rutte ka deklaruar për shtypin lokal se zgjedhjet e parakohshme në vend do të mbahen më 12 shtator.
Rutte dha dorëheqjen nga posti ditën e hënë, pasi nuk siguroi mbështetjen e mëtejshme të partisë ksenofobe të Geert Wilders.
Data e komunikuar nga Rutte është ajo e caktuar nga mazhoranca e Parlamentit, por duhet të marrë ende aprovimin e anëtarëve të Këshillit të Ministrave.
Shkak për humbjen e mbështetjes së jashtme për Rutte u bënë përplasjet me Wilders mbi adoptimin e masave shtrënguese në buxhet.
Partia populiste e ekstremit të djathtë që bashkëqeveriste me qeverinë nuk pranoi planin e kursimit, që parashikonte adoptimin e masave financiare në linjën e përcaktuar nga Bashkimi Europian.
Holanda bën pjesë tek vendet “e shëndetëshme” të BE, megjithatë, vendi duhet të përshtatej me kushtet e miratuara nga Unioni, me të cilat edhe vetë kryeministri Rutte kishte rënë dakord gjatë vitit të kaluar.
Por aleatët e kryeministrit Rutte refuzojnë shkurtimet në buxhet, prej 16 miliardë eurosh, të cilat synojnë reduktimin e borxhit publik.
Sipas Wilders, nuk është e pranueshme që Holanda të ndryshojë buxhetin e saj për t’u vendosur në linjë me rregulloren e Bashkimit Europian për buxhetet.
Top Channel