Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez feston 2-vjetorin e hapjes së profilit të tij në rrjetin social Twitter me rreth 3 milion fansat e tij që e ndjekin.
Chavez iu bashkua Twitter 2 vjet më parë kur themeloi profilin e tij @chavezcandagna, një mënyrë e re komunikimi për të qenë më pranë mbështetësve dhe popullit venezuelian.
Me rastin e këtij 2-vjetori, presidenti Chavez u dedikoi një status fansave të tij, numri i të cilëve e bëjnë politikanin e dytë më të ndjekur në botë, pas presidentit amerikan, Barack Obama.
Megjithatë, ky përvjetor nuk e gjen Chavez-in në gjendjen e tij më të mirë. Prej disa muajsh, lideri i hekurt i vendit amerikano-latin, po vazhdon betejën e tij kundër kancerit që e ka detyruar t’u nënshtrohet një sërë kimio dhe radioterapive në Kubë.
Ka zëra që kanceri i lokalizuar në pjesën e legenit ka përparuar duke e paralizuar Chavez në njërën këmbë, ndërkohë që vetë presidenti, nëpërmjet Twitter-it thotë se është duke fituar luftën kundër sëmundjes.
E ndërsa Chavez vazhdon betejën e tij me kancerin, tetori po afron. Në këtë muaj do të mbahen zgjedhjet presidenciale, ku presidenti aktual, i cili kërkon një mandat të ri 6-vjeçar për të vazhduar “revolucionin socialist”, do të përballet me një kandidat të fortë nga opozita, liderin e saj, Henrique Capriles Radonski.
Top Channel