Shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton po viziton Birmaninë, për të treguar mbështetjen e Unionit ndaj reformave të fundit politike.
Ashton deklaroi se Bashkimi Evropian do të hapë një zyrë të re në nivel ambasade në kryeqytetin Rangun.
Ajo është takuar me lideren pro-demokratike Aung San Suu Kyi dhe do të zhvillojë gjithashtu bisedime me ministra të qeverisë civile të mbështetur nga ushtria.
“Ky është një proçes ndryshimi”, deklaroi zonja Ashton gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Aung San Suu Kyi, e cituar nga agjencia e lajmeve “AFP”.
“Shpresoj se do të shohim të gjithë elementët të vihen në vendin e duhur, në mënyrë që ky të jetë një proçes i pakthyeshëm e që vetëm do të vazhdojë”, ka shtuar Ashton.
Shefja e diplomacisë evropiane ka nënvizuar se roli i Bashkimit Evropian do të jetë ofrimi i investimeve dhe dhënia e asistencës, në vençanti në zonat e largëta rurale.
Diplomatët kanë deklaruar se zyra e re në Rangun kryesisht do të mbikëqyrë menaxhimin e programeve të asistencës, por do të ketë edhe një rol politik.
Më herët gjatë javës, BE ra dakord për të ndërprerë sanksionet ndaj Brimanisë, pas njohjes së “ndryshimeve historike” në vend. Gjithësesi, embargoja e armëve mbetet në fuqi.
Top Channel