“Acar” mes SHBA dhe Pakistanit

28/04/2012 00:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Pakistani nuk po arrijnë të rigjejnë gjuhën e përbashkët për të normalizuar marrëdhëniet e tyre diplomatike, të goditura fort pas operacionit të forcave speciale amerikane në Abotabad ku mbeti i vrarë kryeterroristi Osama Bin Laden, e sidomos pas gabimit të forcave aleate të NATO-së, që në një sulm ajror lanë të vrarë 24 ushtarë pakistanezë, në kufi me Afganistanin.

Islamabadi zyrtar kërkon nga Uashingtoni, dikur aleat i tij më i madh, ndjesë zyrtare për sulmin ku u vranë 24 ushtarë, e më pas është i gatshëm për të rivendosur marrëdhëniet me SHBA.

I dërguari i posacëm amerikan për Afganistanin dhe Pakistanin, Marc Grossman qendroi për disa orë në Pakistan ku diskutoi me diplomatët vendas, porn ë përfundim të takimeve la Islamabadin pa arritur asnjë marrëveshje.

Mediat ndërkombëtare pohojnë se Islamabadi këmbëngul në kërkesën e tij për ndjesë zyrtare nga Uashingtoni në lidhje me vrasjen e 24 ushtarëve para pak muajsh në një postobllok në kufirin afgano-pakistanez. Ndjesa për rastin në fjalë është kërkuar nga zyrtarët e lartë të NATO-së në Kabul, por jo nga Shtetet e Bashkuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA