Aleksandër Timoshenko, bashkëshorti i ish-kryeministres së Ukrainës, i cili braktisi vendin dhe kërkoi azil politik në Republikën Ceke, u bën thirrje udhëheqësve botërore të shikojnë me vëmendje të gjitha detajet e trajtimit të saj në burg.
“U bëj thirrje udhëheqësve botërorë pas publikimit të detajeve se si rregjimi e dërgoi në spital Julia Timoshenkon. Sistemi ynë i burgjeve na kujton gulagët e Luftës së Dytë Botërore. Ata pëlqejnë të veprojnë në përputhje me parimin: nëse një person paraqet problem, hiqe qafe, sipas një shprehje ruse. Kuptoj se autoritetet aktuale e kanë përqëndruar të gjithë aparatin represin për të përmbushur një qëllim të vetëm, për të shkatërruar psikologjikisht bashkëshorten time Julia Timoshenko. Kjo është arsyeja pse u bëj apel udhëheqësve të disa shteteve që ata të vlerësojnë edhe situatën e vërtetë në Ukrainë”, tha Alexandër Timoshenko, bashkëshorti i Julia Timoshenko.
Aleksandër Timoshenko tha se pavarësisht konkluzioneve të nxjerra nga mjekët gjermanë, që e kuruan atë më parë, Julia për më shumë se një muaj nuk trajtohet normalisht në burgun Kacamovski (Kachamovsky) dhe specialistët nuk lejohen, ta takojnë.
“Por gjëja me cinike dhe përbuzëse për dinjitetin njerëzor është transportimi i detyruar i Julia Timoshenkos në spital. Gjatë transportimit ajo është rrahur barbarisht nga tre guerrilas me uniformë”, shtoi Alexandër Timoshenko.
Ai kërkon që trajtimi të kryhet sipas kërkesave të mjekëve gjermanë në një spital të specializuar jashtë burgut, sepse aty ku është dërguar, mungojnë aparaturat e nevojshme.
“Ajo është gati të trajtohet por nga mjekë të pavarur dhe jo ata që veshin bluzën e bardhë, të dërguar enkas, që gënjejnë për gjendjen e vërtetë shëndetësore”, tha ai.
Më herët gjatë ditës, vajza e Julia Timoshenkos tha se gjendja e së ëmës është përkeqësuar, nga keqtrajtimi i rojeve të burgur. 51 vjecarja hyri në grevë urie më 20 prill, pasi u godit nga rojet e burgut.
Mijëra përkrahes të saj marshuan në qëndër të Kievit duke thërritur për lirimin e saj të shpejtë.
Politikanët europiane ndoshta do t’i bëjnë një bojkot politik Euro 2012. Zv/Presidentja e Komisionit Europian dhe Komisionerja për Drejtësinë Vivien Riding përmes një letre i tha presidentit të UEFA-s se nuk mund të mbyllim sytë vetëm se është një festë sportive.
Julia Timoshenko, kundërshtarja kryesore politike e Presidentit Viktor Janukovic u dënua me shtatë vjet burg në qytetin e Karkivit, e akuzuar për abuzimin me detyrën, e cilësuar nga shumë politikanë vendas dhe europianë si e motivuar politikisht.
Top Channel