Turqia kërkon naftë në brigjet e Qipros

27/04/2012 14:40

Turqia ka nisur shpimet për të kërkuar gaz dhe naftë në brigjet e Qipros, pavarësisht protestave të Republikës së Qipros për paligjshmërinë e këtyre veprimeve.

”Turkish Petroleum Corporation” (TPAO) nisi shpimet në një thellësi prej tre mijë metrash nën ujë, në brigjet pranë qytetit të Iskeles (Trikomo në greqisht), pranë pjesës turke të ishullit.

Në nisjen e punimeve ishte pjesëmarrës edhe Ministri i Energjisë, Taner Yildiz.

Pas një serie incidentesh me pakicën turke në ishull, gjatë një regjimi autoritar në vitin 1974, Turqia pushtoi Qipron dhe themeloi në veri të ishullit Republikën e Qipros Veriore, të njohur vetëm nga Ankaraja zyrtare dhe të populluar nga 300 mijë turq.

Një vit më parë, kur Nikozia zyrtare lejoi një kompani amerikane të zhvillonte kërkimet në brigjet e pjesës turke, Ankaraja reagoi me tërbim dhe i kërkoi menjëherë kompanisë së saj shtetërore të ndërmerrte edhe ajo kërkime.

Sipas Ankarasë, deri në momentin kur të dy pjesët e ishullit do të pranojnë të bashkohen në një shtet të vetëm, ujrat territoriale qipriote nuk mund të negociohen nga asnjë qeveri.

Ministri i Energjisë, deklaroi nga ana e tij në një television turk se “forca do të sjellë paqe në Qipro. Ndërsa energjia ka provokuar konflikte dhe luftë në pjesë të tjera të planetit, forca në Qipro do të sjellë efektin e kundërt”.

Nikozia u përgjigj me një deklaratë zyrtare në të cilën pretendohet se Turqia po shkel ligjet ndërkombëtare, duke ushtruar sovranitet në emër të një shteti të panjohur ndërkombëtarisht.

Sipas deklaratës, “veprimet e Turqisë janë një shprehje e qartë që e qëllimeve ekspansioniste të Ankarasë ndaj të gjithë ishullit”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA