Spanjë, papunësia në nivele rekord

27/04/2012 00:00

Papunësia në Spanjë prek një rekord të ri. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga agjencia kombëtare e statistikave në vendin iberik, numri i të papunëve në fund të muajit mars ka shkuar mbi 5 milion e 600 mijë, e përkthyer në përqindje, 24.4 përqind e popullsisë së aftë për punë.

Spanja ka nivelin më të lartë të papunësisë në Bashkimin Europian ndërsa pritet që panorama të përkeqësohet më tej.

Lajmi publikohet pasi agjencia e vlerësimit të kreditimit, “Standard and Poor’s” zhvlerësoi Madridin, edhe pse qeveria e Mariano Rayoi shpalli sërish reduktime të rënda të shpenzimeve publike.

Një zhvlerësim i normës do të thotë se ekonomia spanjolle tashmë është më e paqëndrueshme dhe kjo do të reflektohet me një shtrenjtim të huamarrjes për Madridin zyrtar në tregjet ndërkombëtare.

Tashmë, Spanja vlerësohet me normën BBB+ dhe ekspertët parashikojnë se mund të jetë e detyruar të marrë më shumë hua për të mbështetur sektorin bankar në vështirësi.

“Standard & Poor” gjithashtu parashikoi një recesion prej 1,5% të ekonomisë spanjolle gjatë 2012, duke kundërshtuar kështu vlerësimin e tij të mëparshëm për qëndrimin në stanjacion.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA