Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Japonia arritën një marrëveshje për zhvendosjen e mijëra trupave të marinsave nga baza e ishullit të Okinauës në destinacione të ndryshme jashtë vendit.
Në bazë të planit, forca në Okinaua do të përgjysmohet, pasi nëntë mijë marinsa do të largohen. Në ishull do të mbeten vetëm 10 mijë trupa të tjerë.
Marrëveshje vjen ditë përpara se kryeministri i Japonisë, Yoshihiko Noda, të mbërrijë për një vizitë zyrtare në Uashington.
Trupat që do të largohen nga Okinaua do të vendosen në baza të tjera në Guam, Hauai dhe në zona të tjera të Oqeanit Paqësor.
Në bazë të një marrëveshje të arritur në vitin 2006, Japonia duhet të përmbushte kushtet për të gjetur një vendndodhje të re brenda vendit për trupat amerikane që do të largoheshin, por një plan i tillë është kundërshtuar me forcë nga shoqëria civile dhe opozita, duke u bërë i pamundur të zbatohej.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të ruajnë një prezencë të rëndësishme ushtarake në Japoni, që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.
Top Channel