SHBA, gati “plani B” për Sirinë

27/04/2012 00:00

Plani i paqes i propozuar nga ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Siri po dështon, e për këtë Shtetet e Bashkuara po përgatiten për “planin B”.

Kathlen Hicks, nënsekretare e Mbrojtjes dhe Derek Chollet, kreu i Strategjisë në Këshillin Kombëtar të Sigurisë pohojnë se përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga Kofi Annan s’po i japin fund masakrës ndaj civilëve në Siri dhe po bien në veshin e shurdhër të Damaskut zyrtar.

Pikërisht për këtë në korridoret e Departamentit të Mbrojtjes ka nisur të qarkullojë “plani B”. Asgjë nuk është bërë publike rreth këtij plani, se në ç’mënyrë synon të vendosë paqen në Siri Uashingtoni dhe a do të ketë ndërhyrje ushtarake në terren, apo një strategji e ndjekur në rastin e Libisë kur u rrëzua Muamar Gadafi.

Ndërkohë, ditën e premte gjakderdhja është rikthyer edhe në Damask. Një bombë shpërtheu në një nga lagjet kryesore të kryeqytetit sirian duke shkaktuar të paktën 8 të vrarë dhe dhjetra të plagosur.

Regjimi i Bashar al Assad e quajti sulmin “vepër të bandave terroriste”, kundër të cilave po lufton në veri të vendit.

Franca dhe Turqia po shqyrtojnë seriozisht mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake në Siri. Ankaraja dhe Parisi kërcënojnë presidentin Bashar al Assad se do të ndërhyjnë nëse nuk i jepet fund vrasjeve të civilëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA