Seri shpërthimesh në Ukrainë, 27 të plagosur

27/04/2012 00:00

Katër shpërthime, me distancë të shkurtër kohore nga njëra-tjetra, janë regjistruar të premten në Dnipropetrovsk, në lindje të Ukrainës, prana stacionit hekurudhor, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur 27 persona.

Mediat lokale raportojnë se një shpërthim ka ndodhur në një stacion autobusi, ndërsa një tjetër përpara një kinemaje. Bombat ishin vendosur brenda konteinerëve të mbeturinave.

Të katër shpërthimet ndodhën përgjatë rrugës “Carl Marx”, në afërsi të stacionit hekurudhor dhe bombat duket se ishin fshehur brenda qeseve të mbeturinave.

Shpërthimi i parë, që ka plagosur katër persona, ka ndodhur rreth orës 11:50 me orën lokale, në një stacion mjetesh publike, përpara teatrit të Operas.

Gjysmë ore më vonë, një shpërthim i dytë ka plagosur të paktën tetë persona përballë një kinemaje. Shpërthimi i tretë ndodhi pak minuta më vonë në parkun “Globa”, ndërsa i katërti tek i njëjti stacion ku ndodhi dhe i pari.

Për momentin nuk ka ende një bilanc përfundimtar, por duket se dy shpërthimet e fundit kanë plagosur persona të tjerë, mes të cilëve një grua dhe 9 fëmijë, duke e çuar në 27 totalin e personave të goditur nga shpërthimet.

Zyrtarë të Ministrisë së Brendshme ukrainase janë nisur për në Dnipropetrovsk, ndërkohë që autoritetet kanë hapur një hetim, ku po ndiqet pista e terrorizmit.

“Një sfidë që i është hapur tërë vendit”, i ka quajtur presidenti ukrainas Viktor Yanukovich shpërthimet, që kanë ndodhur në qytetin e lindjes së ish-kryeministres Yulia Tymoshenko.

“Unë di të njëjtat gjëra që dini ju. Për momentin nuk ka informacione të reja, dimë vetëm që ka pasur shpërthime dhe e kuptojmë që kemi të bëjmë me një luftë që i është shpallur gjithë vendit”, ka thënë Yanukovich.

Ndërkohë, në rrugët e Kievit, një korte me mijëra persona kanë parakaluar për të protestuar kundër burgimit të disa figurave të opozitës, mes të cilave spikat Tymoshenko, që pak ditë më parë nisi një grevë urie pasi denoncoi se ishte rrahur në burg.

Tymoshenko, foto të dhunimit në burg

Partia e ish-kryeministres Tymoshenko ka shpërndarë foto të ndryshme që tregojnë lideren e opozitës të shtrirë në një shtrat teksa tregon disa të nxira në trupin e saj, të cilat thotë se i janë shkaktuar gjatë një agresioni nga rojat e burgut.

Fotot janë bërë në burgun ku Tymoshenko mbahet e mbyllur. Në tetor të vitit të kaluar, ajo u dënua me shtatë vjet burg për nënshkrimin abuziv të një kontrate me Moskën për furnizimin me gaz.

Merkel: Duhet të vijë në Gjermani

Ndërkohë, lidhur me situatën ka reaguar kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila ka përsëritur synimin e qeverisë së saj për transferimin në Gjermani të protagonistes së Revolucionit Portokalli, për mjekime më të mira.

“Për këtë objektiv është angazhuar Ministria e Jashtme e Gjermanisë, si dhe vetë Kancelaria”, ka deklaruar Merkel, e cila ashtu si dhe liderë të tjerë perëndimorë përkrah Tymoshenkon.

“Mjekët gjermanë që e vizituan janë të mendimit se mjekimet e saj mund të bëhen më mirë në një spital gjerman”, ka nënvizuar Merkel, duke iu referuar raportit të mjekëve. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA