Me Mitt Romney në Shtëpinë e Bardhë, Osama bin Laden do të ishte ende gjallë. Është kjo një hipotezë efikase që përmban spoti i fundit elektoral i Barack Obama.
Në spotin në fjalë, presidenti dhe ekipi i tij sulmojnë kandidatin republikan duke thënë se, po të kishte qenë ai president, nuk do të kishte urdhëruar kapjen e kreut të Al Kaedës.
Videoja me titullin “One Chance”, një mundësi e vetme, vjen vetëm pak ditë para përvjetorit të operacionit ushtarak në territorin pakistanez të njësisë speciale Team 6 të trupave elitë Navy Seal.
Atë mbrëmje, më 1 maj, Barack Obama hyri në shtëpitë e amerikanëve, rreth orës 8 të mbrëmjes, për të njoftuar se më në fund Shtetet e Bashkuara kishin eleminuar urdhëruesin e atentateve të 11 shtatorit.
Një mesazh ky, që shkaktoi manifestime masive gëzimi deri në orët e vona të natës, në qytete të ndryshme amerikane.
Jashtë Shtëpisë së Bardhë në Uashington, ashtu si dhe në Central Park të Nju Jorkut, mijëra vetë zbritën në rrugë duke bërtitur “SHBA, SHBA…”, të lumtur për ekzekutimin e sheikut të terrorit.
Tema në fjalë është bërë sërish aktualitet në mënyrë të paevitueshme, kur duhen edhe pak muaj që në Shtetet e Bashkuara të mbahen zgjedhjet presidenciale.
Mbi vrasjen e Bin Laden po bëhet edhe një film, xhirimet e të cilit kanë shkaktuar polemika pasi republikanët akuzojnë shërbimet sekrete se kanë nxjerrë detaje të operacionit ushtarak, me qëllim që në film të promovohet figura e Obamës në prag të zgjedhjeve.
Top Channel