Katër persona janë marrë peng për disa orë në Tottenham Court Road, në qendër të Londrës, nga një person që kishte mbetur i papunë.
Policia e Scotland Yard fillimisht rrethoi të tërë pallatin, pasi vuri re se personi në fjalë hidhte kompjutera dhe objekte të tjera nga kati i pestë.
Në vendin e ngjarjes mbërriti një ndërmjetës dhe policia pasi vendosi kontakte me personinin, arriti ta arrestonte atë pa përdorur armët. Në pallatin ku ndodhi pengmarrja ndodhen zyrat e një shoqërie që trajnon shoferë për automjete të rënda.
Pengmarrësi, që mbante bombula gazi të lidhura në trup, duket se ishte inatosur pasi nuk i ishte dhënë patenta dhe thoshte se tani nuk kishte më arsye për të jetuar.
Qindra persona u evakuan nga ndërtesat përreth dhe snajpera të policisë u vendosën në çatitë e tyre. Një hotel në afërsi u detyrua të mbyllte dyert për t’u ndaluar mysafirëve që të dilnin jashtë.
Ndërsa Spitali Universitar i Londrës, që ndodhet jo shumë larg vendit të ngjarjes, u këshilloi pacientëve që kishin takime që të kontrollonin mirë zonën përpara se të mbërrinin.
Pallati, ku ndodhet selia e Huffington Post, u evakua tërësisht dhe policia ftoi personat që ndodheshin në hotelet përreth që të qëndronin në dhomat e tyre.
Kjo kërkesë u bë pasi autoritetet druheshin se personi që kishte marrë peng katër vetë mund të hidhej në erë me bombulat e gazit.
Top Channel