Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso dhe kryeministri italian Mario Monti janë takuar në Bruksel, ku më pas kanë prezantuar pikëpamjet e tyre për rimëkëmbjen e ekonomisë.
“Kemi rënë dakord që ringjallja e rritjes ekonomike duhet të bëhet përmes një angazhimi të pandërprerë, me qëllim përmirësimin e konkurrencës dhe jo përmes rritjes së huave”, kanë deklaruar Barroso dhe Monti në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Dy liderët kanë nënvizuar se bisedimet e zhvilluara mes tyre janë fokusuar mbi situatën aktuale ekonomike në Evropë dhe në veçanti në zonën e euros.
“Ndodhemi përballë sfidave të rëndësishme përsa i përket afateve të rritjes ekonomike dhe nivelit të lartë të papunësisë”, kanë vlerësuar Barroso dhe Monti.
“Konsolidimi fiskal duhet të vijojë bashkë me investime që mund të sjellin rritjen e konkurrencës dhe në të njëjtën kohë të kontribuojnë për rritjen e kërkesës në afate të shkurtra”, janë shprehur ata.
Presidenti i KE dhe kryeministri i Italisë janë shprehur në të njëjtën linjë mbi nevojën për zhvillimin e mëtejshëm të tregut Unik dhe për përforcimin e aplikimit të rregullave të tij, me progrese në sektorët e ekonomisë dixhitale, energjisë dhe shërbimeve.
“Jemi gjithashtu dakord mbi nevojën e zhvillimit të tregut të përbashkët, që është mjeti më i rëndësishëm për promovimin e rritjes dhe për forcimin e aplikimit të rregullave të tij”, kanë thënë ata.
“Në veçanti duhet të arrihen progrese të shpejta dhe më efikase në sektorët e ekonomisë dixhitale, energjisë dhe shërbimeve”, kanë saktësuar më tej Barroso dhe Monti.
Top Channel