“Izraeli, gati për luftë kundër Iranit”

27/04/2012 00:00

“Ushtria izraelite është e gatshme të ndërmarrë një sulm ushtarak kundër Iranit, nëse programi bërthamor i këtij të fundit përbën kërcënim për ekzistencën e vetë Izraelit”.

Kështu ka deklaruar komandanti i përgjithshëm i forcave ushtarake izraelite (IDF), gjenerali Benny Gantz. Ushtaraku i lartë hebre ka saktësuar se skenari i sulmit mund të bëhet realitet nëse Teherani ka ndërmend të mos tërhiqet nga programi i tij bërthamor.

“Izraeli shpreson që një gjë e tillë të mos ndodhë kurrë, por nëse ndodh, detyrohemi të përdorim forcën për të ndalur këto projekte. Mendoj që mundësia për sulm ushtarak ndaj Iranit është reale”, tha gjenerali Gantz për mediat izraelite.

Por përvec Izraelit, të gatshëm për të ndërhyrë ushtarakisht në Iran janë edhe disa vende të tjera. Sipas gjeneralit Gantz, përvec ushtrisë hebreje, në gatishmëri janë edhe ushtritë e disa vendeve të tjera të vendosura për të mos lejuar Iranin që të shndërrohet në një vend me bombë bërthamore.

Zërat për një sulm izraelit kundër Iranit qarkullojnë që prej muajve të fundit të vitit të kaluar. Ishte gazeta britanike “The Guardian” ajo që publikoi një analizë të gjatë për mundësinë e një sulmi ajror izraelit kundër centraleve bërthamore iraniane, ku pasqyroheshin edhe disa informacione të marra, sipas britanikes, nga burime të sigurta në Tel Aviv.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA